Burg të përjetshëm, ky është dënimi që iu shqiptua Edmond Lajqit

Gjykata Themelore e Pejë e ka dënuar me burgim të përjetshëm të akuzuarin Edmond Lajqi për vrasjen e bashkëshortes së tij  Gj.U.

Aktgjykimi ndaj Lajqit u shpall të premten nga gjykatës, Muse Povataj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas aktgjykimit, i akuzuari Lajqi për kryerjen e veprës penale “Vrasje e rëndë” dënohet me burgim të përjetshme, kurse për armëmbajtje pa leje gjyqtari Povataj tha se nuk ka dënim për të njëjtin, ndërsa i konfiskohet arma me të cilën e ka kryer krimin.

Në seancën fillestare të mbajtur më 24 dhjetor 2024 i akuzuari Lajqi kishte pranuar fajësinë për vrasjen e gruas së tij në prill të këtij viti.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Pejë, më 19 nëntor 2024 ka ngritur aktakuzë kundër Edmond Lajqit, i cili akuzohet se më 16 prill 2024 ka vrarë bashkëshorten e tij në Pejë.

Në dosjen e Prokurorisë të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, thuhet se Lajqi akuzohet për vrasjen e gruas së tij tani të ndjerës Gj.U., e i cili pas aktit të vrasjes ishte paraqitur vetë në Polici duke iu thënë “e vrava gruan dhe çoje një patrullë të Policisë”.

Lexo edhe:  Zhduket turisti lituanez në Alpet Shqiptare, kërkimet po përqendrohen në shtegun Valbonë – Theth