Borxhi bëhet mollë sherri mes vëllezërve ferizajas, 36-vjeçari ia dëmton shtëpinë dhe kërcënon vëllain e tij

Vonesa e borxheve shkakton telashe të shumta mes qytetarëve të cilët kanë raporte të afërta me njëri-tjetrin.

Si rrjedhojë e kësaj krisen miqësi e lidhje familjare, e shpesh herë lindin edhe konflikte të cilat pasojnë me kërcënime e konfrontime fizike, raporton Gazeta Sinjali.

Të përfshirë në këto zënka, shpesh janë edhe vëllezërit të cilët fjalosen e me raste edhe rrihen mes vete.

Sinjali mëson se një rast i tillë ka ndodhur në një familje në fshatin Nerodime të Ferizajt, ku një person dyshohet se ka shkaktuar dëme materiale në shtëpinë e vëllait të tij dhe të njëjtin e ka kërcënuar.

36-vjeçari dyshohet se i ka thyer xhamin e shtëpisë vëllait të tij dhe i ka bërë atij presion që t’ia kthejë një borxh, për të cilin viktima pretendon se nuk ekziston.

Përballë kësaj situate, i frikësuar dhe i shqetësuar nga veprimet e vëllait të tij, 63-vjeçari ka denoncuar rastin në Polici.

Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Me urdhër të prokurorit, ndaj tij kanë nisur hetimet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë’ dhe ai është dërguar në mbajtje.

Lexo edhe:  Ndihmohen 45 familje me jetimë me nga 100 dollarë, ndihmë nga bashkatdhetarët në Chicago