“Bombardimet e NATO-s nuk ishin për paqe”, dëshmia kontroverse e ushtarakut amerikan

Një ish-oficer i forcave amerikane në KFOR, Steve Russell po dëshmon sot në procesin gjyqësor kundër krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Russell ka shërbyer kryesisht në zonën e Gjilanit dhe ka folur për disa pretendime për qendra ndalimi atje në vitin 1999. Por, mbrojtja ka sfiduar qëndrimet e tij për UÇK-në dhe NATO-n, pasi në dëshminë e tij me shkrim para Prokurorisë kishte dhënë deklarata të çuditshme për ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

Mbrojtja e Hashim Thaçit e ka pyetur për qëndrimet e tij se ai e ka parë ndërhyrjen e NATO-s si jo me qëllime paqësore dhe për më tepër rolin e Amerikës në luftën e Kosovës dhe ndërhyrjen ushtarake e shihte si marrje anë.

“Ne po shkonim aty për të zbatuar Rezolutën 1244 që ishte rezultat i ndërhyrjes në sovranitetin e Serbisë në emër të vuajtjes së shkaktuar në provincën e Kosovës dhe mendova që në këtë kontekst po ndërhynim në sovranitetin e Serbisë për të zbutur vuajtjen e njerëzve në provincën e Kosovës, kështu do ta shpjegoja unë”, tha Russell kur u pyet për qëndrimin e tij si pozicioni i Amerikës në atë kohë ishte i anshëm.

Ai u pyet poashtu për deklaratën e dhënë para prokurorisë ku kishte thënë se fushata ajrore e NATO-s nuk kishte qëllim paqeruajtës por më shumë të impononte një rezultat.

“Nuk e di nëse është në procesverbal, por mendoj që është e vështirë për forcat ajrore të arrijnë në një përfundim apo të sjellin rezultat pa praninë në terren dhe mendoj që ka shumë histori për tu mbështetur në këtë që po them”, u përgjigj ai.

Mbrojtja tha se pyetja kishte të bënte më shumë me rezultatin e jo më efikasitetin, por Russell tha se e kuptonte këtë më shumë nga aspekti ushtarak për të zgjidhur një çështje.

Lexo edhe:  Plani i dështuar për shantazh e çoi në burg personin po i kërkonte viktimës 10 mijë euro

Pasi e sfidoi me këto qëndrime kontroverse, mbrojtja i lëshoi dëshmitarit fjalimin e ish presidentit amerikan, Bill Clinton kur kishin nisur bombardimet e NATO-s mbi Serbi dhe qëllimin e tyre paqësor dhe për të mbrojtur popullatën civile.

“A është kjo që tha presidenti Clinton në përputhje me njohuritë që kishit ju për arsyet që NATO ndërhyri?”, e pyeti avokatja dëshmitarin.

Në këtë rast, ai sikur ndryshoi qëndrimet e tij të dikurshme, duke shtuar për fjalimin e Clinton: “Besoj që kjo ka qenë ajo që e mendonim të gjithë ne”.