Bie në prangat e Policisë organizatori i bixhozit të kundërligjshëm
Aktivitetet e organizimit të skemave piramidale dhe bixhozit në vendin tonë janë të ndaluara me ligj dhe përbëjnë vepër penale, por kjo nuk po i ndalon qytetarët që të veprojnë kundërligjshëm.
Në kuadër të një operacioni policor ka rënë në prangat e Policisë edhe një ndër të dyshuarit kryesorë për organizimin e lojërave të fatit.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Shpëtim Krasniqi, nga Juniku i Deçanit.
Krasniqi është intervistuar nga organet e hetuesisë si i dyshuar për veprat penale ‘Krim i organizuar’ dhe ‘Organizim i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 37-vjeçarit t’i caktohet masa e ndalimit policor.
Ndryshe, gjatë këtij operacioni, i cili u zhvillua në fillim të muajit, janë arrestuar edhe dhjetë persona të tjerë, të dyshuar për veprat penale të lartcekura.