Bie në prangat e Policisë i dyshuari për kërcënimin e deputetes Musliu-Shoshi, zbulohet identiteti i tij
Zyrtarët shtetërorë, duke përfshirë edhe pozita të larta shpeshherë kanë qenë cak i kërcënimeve ose kanosjeve nga persona e grupe të ndryshme dhe për pasojë kanë kërkuar ndihmë e mbrojtje nga Policia.
Një rast i tillë i kanosjes i ka ndodh kohë më parë edhe deputetes Ariana Musliu-Shoshi.
I dyshuari për kanosje ndaj deputetës së Kuvendit është arrestuar sot në aeroportin “Adem Jashari”, zbulon Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali ka mësuar po ashtu ekskluzivisht se personi që ra në prangat e Policisë, si i dyshuar për këtë rast është Bahri Ajeti.
Ai ka qenë në kërkim policor që nga qershori, kur është denoncuar rasti nga ligjvënjësja e Partisë Demokratike të Kosovës.
Siç mëson Gazeta Sinjali, i dyshuari është shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij lidhur me veprën me të cilën ngarkohet dhe motivin që e ka shtyrë për kërcënimin e deputetes Musliu-Shoshi.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor prej 48 orësh dhe inicimin e rastit për veprën penale “Kanosje”.