Besnik Bislimi paraqitet për intervistim në Prokurori Speicale

Zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi, është paraqitur në Prokurorinë Speciale të mërkurën, për intervistim lidhur me hetimet rreth dhënies me qira të fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore nga Ministria e Bujqësisë.

Kështu ka konfirmuar për “Betimi për Drejtësi” zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Arbnora Luta.

Ndryshe, ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, më 27 maj 2025 u intervistua si i dyshuar lidhur me dhënien në shfrytëzim të Fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

Prokuroria Speciale po atë ditë konfirmoi se Policia kreu bastisje në katër lokacione me urdhër të kësaj Prokurorie.

Kurse, prokurori i Prokurorisë Speciale, Admir Shala tha se bastisjet u zhvilluan lidhur me hetimet për dhënien në shfrytëzim të Fabrikës për përpunimin e nënprodukteve shtazore.

Ai tha para medieve se lokacionet ku u zhvilluan bastisjet janë: Ministria e Bujqësisë, Agjencia për Zhvillim e Bujqësisë, Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë dhe lokacioni i kompanisë fituese të kontratës.

Lexo edhe:  E rrahën për vdekje, por s’mund të dënohen më shumë se 10 vjet: Çka thotë ligji?