Berisha për kërcënimet e Serbisë ndaj Kosovës: NATO i nxori kartonin e kuq Vuçiçit, Rama nuk tha asnjë fjalë

Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar këtë pasdite një bashkëbisedim me qytetarët në Dibër me temën “Dibra në rrezik”.

Gjatë fjalës së tij Berisha deklaroi se Vuçiçi kërcënoi Kosovën me luftë ndërsa NATO i nxori kartonin e kuq, teksa shtoi se për këtë Rama nuk reagoi pasi sipas tij ai është vëllai i Vuçiçit.

“Le ta pyesim sot Edi Ramën, mor zotëri, ky vëllai yt Vuçiç, çfarë faktesh ka që po terrorizohen serbët në Kosovë? Je ti dhe ai që keni kërcënuar prej disa muajsh për luftë në Kosovë. Gjer sa mori kartonin e kuq nga NATO. Kur Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s i tha jemi aty, aty është kufiri ynë. Tha ndonjë fjalë ky vëllai i tij në Tiranë? Nuk tha asnjë fjalë”, u shpreh Berisha.

Sipas Berishës sot Shqipëria është më vasale se kurrë ndaj Beogradit. Ai tha se Aleksandër Vuçiç, është më i rrezikshëm në Evropë se presidenti i Rusisë, ndërsa e ka cilësuar presidentin serb se “Putin i vogël”.

“Përveç 1945, Shqipëria është më vasale se kurrë ndaj Beogradit. Të vjen turp kur sheh se qeveria jote është bërë një zëdhënëse, një shtojcë e qeverisë së Beogradit. Një Beogradi që dëshmon armiqësi absolute ndaj shqiptarëve. Ky është më i rrezikshmi në Europë pas Vladimir Putin, ky është Putin i vogël, është po kaq agresiv, po kaq paranojak, por nuk ka armët e Putinit dhe ia thanë edhe gjeneralët e tij, se i mblodhi në shtab në datën 1 gusht dhe gjeneralët i thanë për 4 orë kemi NATO-n mbi kokë po lëvizëm”, tha Berisha.

Lexo edhe:  Familja raporton zhdukjen e vajzës, 15-vjeçarja thotë se ishte në motel me të dashurin