Bekim Haxhiu: Kur ju thoja se deputetë të LVV-së kanë shkruar artikuj kundër UÇK-së nuk më besonit, të shpërndahet Kuvendi
Ish-deputeti Bekim Haxhiu ka reaguar pas publikimit të djeshëm të një artikulli që akuzon rëndë UÇK-në se është financuar me paratë e drogës ku bashkautor është dhe tani kryeparlamentari, Dimal Basha, shkruan Mitrovica SOT
Ai tha se ka kohë që ka tërhequr vërejtjen se ka deputetë nga LVV që kanë shkruar artikuj kundër UÇK-së por se askush nuk besonte.
Ai tha se zgjedhja e Bashës është fyerja më e rëndë ndaj luftës çlirimtare dhe gjakut të dëshmorëve dhe shtoi se ndihet me fat që nuk ishte pjesë e këtij turpi kombëtar.
Postimi:
Kur unë ju tregoja publikisht se deputetë të LVV-së kanë shkruar e sponsorizuar artikuj kundër UÇK-së, shumëkush nuk më besonte.
Sot, pikërisht ata njerëz janë bërë deputetë me votën e qytetarëve, e madje njëri prej tyre Dimal Basha është zgjedhur kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Kjo është fyerja më e rëndë për luftën çlirimtare dhe për gjakun e dëshmorëve. Një institucion që duhet të mbrojë vlerat e shtetit, sot është bërë skenë ku shpërblehen ata që e kanë baltosur UÇK-në.
Unë, edhe pse mora 18,600 vota, ndihem me fat që nuk jam pjesë e këtij turpi kombëtar.
Jo me votën time kurrë nuk do të vendosej në krye të Parlamentit të Kosovës dikush që ka shkruar kundër UÇK-së.
Kuvendi duhet të konstituohet e të shpërndahet menjëherë po atë ditë, për të ndalur degradimin e shtetit dhe për të rikthyer dinjitetin e institucioneve shtetërore përmes zgjedhjeve të lira dhe demokratike.