Befasohet ish-luftëtari i UÇK-së, Agim Pllashniku, para shtëpisë së tij vendosën flamuj të UÇK-së dhe amerikanë
Ish-luftëtari i UÇK-së, Agim Pllashniku, që para disa ditësh u largua nga puna në “Ibër-Lepenc”, pasi protestoi kundër deputetes së LV-së, Fitore Pacolli, të cilën e quajti “hajneshë”, është befasuar sot, kur para shtëpisë së tij (në rrugën tranzit Milloshevë – Podujevë) ka parë të vendosur flamuj të UÇK-së dhe amerikanë.
Pllashniku, në forma të ndryshme kohëve të fundit ka dalë në përkrahje të çlirimtarëve në Hagë dhe në mbrojtje të vlerave të luftës çlirimtare.
“Sot dikush në mëngjes kishte vendosur në mes të rrugës – para shtëpisë sime flamujt e UÇK-së dhe ata amerikanë. Kjo ka qenë befasia ma e mirë që kam marrë sot. Pas largimit nga puna nga pushteti i Kurtit, ku unë veç bëra një protestë paqësore, tashme kam fituar përkrahje të madhe nga qytetarët, nga ata që i vlerësojnë vlerat e luftës dhe e duan këtë vend. I falënderojë shumë për përkrahjen qytetarët, mediat, shoqërinë civile, policinë dhe ushtarët e FSK-së. Kjo mua më bën krenar”, ka thënë ai