Bedri Hamza pas vizitës në Washington: Kosova do të kthehet më e fortë se kurrë në partneritet me SHBA-në
Kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër, Bedri Hamza, ka përmbyllur një vizitë dyditore në Washington D.C., të cilën e ka vlerësuar si jashtëzakonisht të rëndësishme për të paraqitur vizionin e tij për zhvillimin e Republikës së Kosovës dhe rindërtimin e partneritetit strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Hamza zhvilloi një agjendë intensive takimesh me zyrtarë të lartë të administratës amerikane, përfshirë përfaqësues të Shtëpisë së Bardhë, Këshillit Kombëtar të Sigurisë dhe Departamentit të Shtetit. Ai u prit gjithashtu në një takim përmbajtësor nga James Carafano, Këshilltar i Lartë i Presidentit amerikan dhe E.W. Richardson Fellow në Fondacionin “Heritage”, një institucion i njohur për afërsinë me programin qeverisës të Presidentit Donald Trump.
Në këtë takim morën pjesë edhe Anthony Kim, redaktor i Indeksit të Lirisë Ekonomike dhe menaxher i angazhimit global në Qendrën për Liri “Margaret Thatcher”, si dhe Max Primorack, ekspert i lartë për çështje të sigurisë në këtë fondacion.
Hamza u shpreh se nga këto takime është kthyer tejet pozitiv për mundësitë e mëdha të bashkëpunimit ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së, sidomos pas një periudhe të vështirë të mungesës së komunikimit dhe pezullimit të dialogut strategjik.
Sipas tij, Kosova do të rikthehet në Washington më e fortë se kurrë, me projekte konkrete, investime të prekshme dhe me rritje të përfshirjes së SHBA-së në zhvillimin e shtetit në fusha kyçe si diplomacia, ekonomia, energjia, ushtria dhe inteligjenca.

