Bedri Hamza në Skenderaj: 50 për qind do të rritën pensionet për familjet e dëshmorëve, veteranët, invalidët e luftës

Bedri Hamza e ka filluar shpalosjen e programit të tij me zotimet për kategoritë që i kanë dhënë më së shumti Kosovës.

“Për familjet që kanë dhënë heronj, dëshmorë e martirë. Për ata që kanë humbur gjymtyrë dhe plagët ende i kanë të hapura. E kemi obligim angazhimin për ta. E para, për të gjitha këto kategori, duke përfshirë familjet e dëshmorëve, veteranët dhe invalidët e luftës, pensionet do të rriten për 50 %. E dyta, ju prindër të dëshmorëve që sot jeni këtu, ma nuk do të detyroheni të zgjidhni mes pensionit të moshës dhe pensionit të familjes së dëshmorit, sepse do t’i merrni të dyja pensionet. Ndërsa, ju veteranë, nëse dëshironi të punoni, ne do t’ua mundësojmë të jeni aktivë në tregun e punës, pa ua ndalur përfitimet nga shteti si veteranë të UÇK-së. Jeni kategoria më meritore e lirisë dhe ne u jemi përjetësisht mirënjohës. Nuk do të harrohen kurrë ata që u shërbejnë qytetarëve të vendit.

Për ushtarët e FSK-së dhe policët e Kosovës, për mësuesit, arsimtarët dhe profesorët. Për mjekët dhe infermierët, për zjarrfikësit, për shërbyesit civilë, rritja do të jetë 50%”, ka thënë Hamza.

Hamza ka thënë se në qeverinë e tij do të rriten pensionet e moshës 70%, ndërsa pensionet kontributdhënëse do të rriten dhe do të përshkallëzohen duke u bazuar në përvojën e punës.

“Ne i kemi dy nisma shumë të rëndësishme që do t’i lirojnë gratë nga obligimi familjar për t’u kujdesur për fëmijët dhe të moshuarit. Do t’iu krijojmë atyre mundësi që të marrin rol më aktiv në jetën sociale dhe ekonomike. E para, do të ofrojmë subvencione prej 100 eurosh në muaj për familjet që nuk mund t’i regjistrojnë femijët në çerdhet publike dhe detyrohen t’i regjistrojnë në çerdhet private. Dhe, e dyta, do të krijojmë edhe qendra për kujdesin ndaj të moshuarve në secilin rajon të Kosovës”, ka thënë Hamza.

Lexo edhe:  Aeroplani që u nis nga Stambolli në Prishtinë nuk arriti të aterojë nga mjegulla

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, ka premtuar se do ta krijojë Fondin e Bursave me 25 milionë euro në vit për bursa studentore.