Bedri Hamza jep premtimin e madh: Pagat rriten 50% për shërbyesit civilë, asnjë pension nën 200 euro

Kandidati i PDK-së për Kryeministër, Bedri Hamza, e ka dhënë premtimin më të madh deri më tani për rritjen e pagave në sektorin publik.

“Pagat në sektorin publik do të rriten me 50% për shërbyesit civilë, mjekët, infermierët, mësuesit, profesorët, zjarrëfikësit, ushtarët, policët e të gjithë ata që marrin rroga nga buxheti i shtetit. Për dallim, për pozitat me paga të larta dhe emërime politike, rritja do të jetë 30%. Për sa i përket pensioneve, në qeverinë time nuk do të ketë pension më të ulët se 200 euro. Ndërsa, pensionet kontributdhënëse do të rriten me 30%, duke u bazuar në përvojën e punës”, ka thënë Hamza.

“Ju më njihni mua. Kur premtoj, e bëj edhe realitet”, ka shtuar ai.

Hamza ka treguar se do të ofrojë subvencione prej 100 eurosh në muaj për familjet që nuk mund t’i regjistrojnë fëmijët në çerdhe publike dhe i regjistrojnë ata në çerdhe private, duke siguruar kështu mundësi më të përballueshme dhe të qasshme për kujdesin ndaj fëmijëve.

Po ashtu, ai ka premtuar se krijojë edhe qendra për kujdesin ndaj të moshuarve në secilin rajon.

Lexo edhe:  Rritja e rasteve: Mblidhet Komiteti i SHSKUK-së për COVID-19