BE-ja kërkon largimin e barrikadave: Të rivendoset menjëherë liria e lëvizjes
Bashkimi Evropian ka dënuar sulmet ndaj Policisë së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it dhe ka bërë thirrje për de-përshkallëzim të menjëhershëm të situatës në veri.
“Bashkimi Evropian “dënon fuqishëm sulmet ndaj EULEX-it, KFOR-it dhe Policisë së Kosovës” dhe bën thirrje për vetëpërmbajtje maksimale dhe veprime të menjëhershëm për “de-përshkallëzimin e situatës, e cila përfshin përmbajtjen nga veprimet provokuese, kërcënimet apo frikësimet”, thuhet në një deklaratë të BE-së për mediat serbe, transmeton gazeta online Reporteri.net.
BE-ja thekson se situata në veri të Kosovës është ende e tensionuar dhe se “duhet respektuar sundimi i ligjit dhe nuk do të tolerohet asnjë formë e dhunës”.
Në këtë deklaratë deklaratë, BE-ja sërish bën thirrje që të dy palët duhet të angazhohen dhe të kontribuojnë në një zgjidhje politike në mënyrë që tensionet të ulen.
“Ne presim që Kosova dhe Serbia t’i kthehen përkushtimit për krijimin e një mjedisi të përshtatshëm për pajtim, stabilitet rajonal dhe bashkëpunim në të mirë të qytetarëve të tyre, që përfshin mbrojtjen e popullatës serbe në veri të Kosovës”, thuhet në deklaratën e BE-së.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti edhe dje e ka përsëritur se heqja e barrikadave në veri është vetëm çështje ditësh.
“Nuk mund të zgjasë me muaj. As nuk mundet për javë të tëra. Mund të zgjasë vetëm me ditë”, ka thënë Kurti.