Mirjeta Durmishi, bashkëshortja e zëvendësministrit Hysen Durmishi, ka dalë me një reagim në Facebook, pasi ky i fundit u intervistua sot si i dyshuar nga Prokuroria Speciale lidhur me kontratat për rrugën Prishtinë-Podujevë.
Ajo i ka dalë në krah bashkëshortit të saj, derisa ka thënë se “Ai nuk mund të kërcënohet e shantazhohet kurrë”, raporton Express.
“Ushtari i vërtetë mbetet i tillë gjithë jetën e tij. Ai nuk mposhtet e nuk nënshtrohet asnjëherë. Ai nuk mund të kërcënohet e shantazhohet kurr. Ai është fitimtarë gjithmonë. Ishte i tillë dje, është i tillë sot e do të jetë edhe nesër. Ushtari i vërtetë është vlerë e çmuar. I gatshëm gjithmonë për atdheun. 🇦🇱👏🏻💪🏻”, ka shkruar ajo.
Pas intervistimit, Durmishi është deklaruar para gazetarëve, ku tha se është ftuar në cilësinë e të dyshuarit dhe se nga prokurori i janë bërë pyetje sqaruese.
Durmishi tha se ka “sqaruar pastërtinë e plotë” të tij në procesin e ndërtimit të rrugës Prishtinë- Podujevë.
“Unë sot iu përgjigja ftesës së Prokurorisë Speciale, isha i ftuar në cilësinë e të dyshuarit për rastin e projektit të ndërtimit të rrugës Prishtinë- Podujevë. Kryesisht, kjo fazë është fillestare dhe pyetjet e prokurorit ishin pyetje sqaruese të cilat unë i sqarova pothuajse të gjitha pyetjet që i kishte prokurori për ta dëshmuar se procesi për rrugën Prishtinë- Podujevë ka qenë një proces i rregullt dhe se atje punimet po zhvillohen me dinamikën të cilën e kemi planifikuar dhe në një far mënyre sqarova edhe para prokurorit pastërtinë e plotë timen në gjithë këtë proces”, tha Durmishi para gazetarëve.