Bajrami për Kurtin: Qytetarët pa materiale për hemodializë, për të janë vetëm numra votash
Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar ashpër ndaj Qeverisë së Albin Kurtit, duke e akuzuar për keqmenaxhim, abuzime me tenderë dhe për dështim në sigurimin e materialeve bazë edhe për trajtimin e pacientëve me hemodializë.
Bajrami tha se edhe “hemodializën e kanë lënë pa material, kategorinë pothuajse më të ndjeshme të shoqërisë e kanë lënë nën mëshirën e fatit”. Sipas saj, kjo është pasojë e mënyrës se si qeveria aktuale po e trajton shtetin dhe qytetarët.
“Kurti që ka marrë vendim për tender sekret të rezervave shtetërore, e që i ka zhvilluar negociatat në restorantin ‘Bukë e Zemër’ të Ridvan Muharremit, i njëjti që ka lejuar vartësit e tij të lidhin mbi 2400 kontrata njëburimore në vlerë prej 270 milionë euro, sot e ka lënë edhe sektorin më të ndjeshëm të shëndetësisë pa furnizim”, tha ajo.
Ajo shtoi se energjia e importuar vitet e fundit është blerë “jo në bursë, jo përmes ankandeve, por direkt nga NOA”, derisa e njëjta qeveri ka dështuar të garantojë materiale për dializë, duke rrezikuar pacientët që varen nga ky trajtim për jetesë.
“Qe pse unë dhe gjithë ata që e duan këtë shtet e këtë Republikë e kemi problem Albin Kurtin dhe Vetëvendosjen, sepse për ta nuk është me rëndësi shteti, nuk është me rëndësi qytetari – ata qytetarët i shohin vota e shtetin e përdorin për t’i mbushur xhepat e tyre,” theksoi ajo.
Bajrami e cilësoi situatën si urgjencë qytetare dhe kërkoi largimin sa më të shpejtë të qeverisë aktuale.
“Largimi i tyre nga keq-qeverisja është urgjencë qytetare – sa më parë aq më mirë”, përfundoi deputetja e LDK-së.
Ndërkaq ShSKUK, sot doli me një njoftim duke thënë se shërbimet e dializës nuk janë ndalur.

