Babë e bir që dyshohen se rrahën dy persona pas një aksidenti në Prishtinë përfundojnë në ndalim

Gazeta Sinjali raportoi dje për një incident që ka ndodhur të martën në rrugën “Ali Hadri” në Prishtinë, ku pas një mosmarrëveshje në një aksident trafiku, dy të dyshuar, babë e bir kanë kanosur dhe sulmuar fizikisht dy persona. Të dyshuarit kanë përfunduar në ndalim, ndërkohë që Policia ka sekuestruar edhe armë me rastin e arrestimit.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se dy të arrestuarit janë Skender dhe Raif Brajshori, ndaj të cilëve tashmë kanë nisur hetimet nën dyshimin për disa vepra penale.

Sinjali tashmë ka siguruar edhe fotografitë e të dyshuarve dhe momentin e arrestimit të tyre, ndërkohë që sipas të njëjtave burime, tashmë është ushtruar edhe kërkesë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tyre.

Sipas informacioneve të para, fillimisht palët janë kapur mes vete verbalisht dhe më pas dy të dyshuarit i kanë goditur viktimat me mjete të forta, duke iu shkaktuar lëndime trupore.

Posa njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, te njëri nga të dyshuarit është gjetur një armë zjarri dhe më pas të njëjtit janë arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor për intervistim.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndalimin e tyre dhe inicimin e rastit për veprat penale “Lëndim i rëndë trupor”, “Armëmbajtje pa leje” dhe “Kanosje”.

Rastin e ka konfirmuar edhe Policia e Kosovës, me ç’rast kanë bërë me dije se arma dhe rreth 15 fishekë që u gjetën janë sekuestruar si provë lidhur me rastin.

“Pas një mosmarrëveshje në një aksident trafiku,  dy të dyshuar meshkuj kosovarë kanë kanosur dhe sulmuar fizikisht dy viktimat meshkuj kosovarë, duke ju shkaktuar lëndime trupore. Gjatë kontrollit tek njëri nga të dyshuarit është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë dhe 15 fishekë. Të lënduarit kanë pranuar tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit janë arrestuar dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.”, ka njoftuar Policia.

Lexo edhe:  Ushtarët e Kosovës do të dërgohen për shërbim jashtë vendit, tani në disa ishuj të largët

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.