Babai i Marigona Osmanit pas vendimit për rigjykim: Janë duke na shtyrë që ne ta marrim vetë ligjin në dorë
Muhabi Osmani, babai i të ndjerës Marigona Osmani është deklaruar pasi gjatë ditës së djeshme Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin e të akuzuarve për vrasjen e vajzës së tij, për çka ishin shpallur fajtorë, Dardan Krivaqa i dënuar me burg të përjetshëm dhe Arbër Sejdiu, i dënuar me 15 vjet heqje lirie.
Muhabi Osmani tha se ky vendim është vendimi më skandaloz që ka ndodhur në vend, duke e ditur se vrasja e Marigonës ka qenë një ndër vrasjet më mizore që nga paslufta në Kosovë, teksa shtoi se nuk e kanë pritur rigjykimin.
Ai madje shtoi se organet e Drejtësisë janë duke i shtyrë “në një situatë që na ta marrim vetë ligjin në dorë, gjë që nuk e kemi preferuar”.
“Me këtë vendim për rigjykim po na lindin dyshimet që avokatët e të akuzuarve janë sekserë të njohur. Unë kam dyshime të mëdha, sepse Gjykata ka prova të mjaftueshme për të dy të akuzuarit të cilët janë të involvuar direkt në vrasjen e vajzës sime. Unë mendoj se ka implikacione të mëdha në Gjykatën Apelit, sepse janë dy familje të forta të cilët kanë njerëz ne polici edhe në drejtësi”, theksoi Osmani për RTK.
Në fund Osmani deklaroi se ka ende besim në drejtësi, por ritheksoi se me vendimin e fundit ai ka dyshime shumë të mëdha.