Babai i dehur rrah djalin e tij 21-vjeçar në Prishtinë, përfundon në ndalim policor
Përdorimi i alkoolit po u shkakton telashe të mëdha qytetarëve kosovarë, të cilët shpesh humbin kontrollin mbi veprimet e tyre, duke u bërë kështu agresivë e duke krijuar probleme.
Kjo është edhe një ndër shkaktarët kryesorë të dhunës në familje, ku në shumicën e rasteve viktima janë gratë, por edhe anëtarët tjerë të familjes.
Sinjali mëson se kështu ka ndodhur së fundi në një familje në rrugën ‘Isa Kastrati’ në Prishtinë, ku një burrë dyshohet se nën ndikim të alkoolit, ka ushtruar dhunë ndaj djalit të tij.
21-vjeçari si pasojë e dhunës së përjetuar ka marrë lëndime trupore, për çka ka kërkuar ndihmë mjekësore në spital, ndërkohë që rastin e ka denoncuar edhe në Polici.
Bazuar në dëshminë e tij dhënë organeve të hetuesisë, i dyshuari në gjendje të dehur e ka sulmuar të birin duke e goditur me boks dhe më pas i njëjti dyshohet edhe ta ketë kërcënuar.
Si rezultat i denoncimit, 65-vjeçari është arrestuar dhe është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit policor dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet se ka kryer veprën penale ‘Dhunë në familje’.