Axha i Kurtit: Albini e ka shumë vështirë, i ka armiqtë edhe brenda edhe jashtë

Hamza Kurti, i cili është axha i kryeministrit Albin Kurti, ka thënë se ky i fundit e ka shumë të vështirë udhëheqjen pasi ai i ka armiqtë brenda dhe jashtë vendit.

“Unë pres që Albini e ka vështirë. Pse? Ka armiq të brendshëm dhe të jashtëm. Ajo është me rëndësi. Sikur Kosova të ishte e unifikuar, e bashkuar, ndryshe do të ishte situata. Por kur njëri kërkon majtas, tjetri djathtas e tjetri pas shpine, ai është rrezik i madh”, tha ai.

Sipas tij, “krejt fjalët e Lëvizjes Vetëvendosje po dalin në pah”.

“E di që Albini e ka vështirë për shkak se nuk i ka pas vetes partitë politike”, përsëriti Hamza Kurti.

Axha i kryeministrit dha disa shembuj që sipas tij argumentojnë për “armiqtë e brendshëm” të nipit të tij në Kosovë.

“Ka armiq të brendshëm. Ka njerëz që kanë thënë që ka kalu me vajzën e një ministreje të Serbisë, veç me mujtë me e shkelë, por kryesore është që Albini s’është i korruptuar dhe atë s’munden me e shantazhu kurrkund sepse nuk ka korrupsion te ai”, tha ai.

Hamza Kurti thotë se nipi i tij nuk është i vështirë për të negociuar, por tha se “është parimor”.

“Kur e kam pasur unë gabim, ai s’është pajtuar kurrë me mua, dhe ka dalë fjala e tij. Unë si më i moçëm është dashtë të tërhiqem. Pse? Sepse ka pasur të drejtë. Ai kur është në të drejtë, nuk tërhiqet. Kur e sheh që s’është në të drejtë, të kërkon falje”, tha ai.

Sipas tij, kryeministri i Kosovës nuk i ndryshon parimet dhe qëndrimet.

“Situata e bën të vetën, por ai cakun e qëllimin nuk e ndryshon”, tha Hamza Kurti për Klan Kosovën.

Lexo edhe:  Sot vranët dhe me riga lokale shiu, nga e diela ulen temperaturat