Avokati i Popullit pranon propozimet e SBASHK-ut dhe Qeverisë për daljen nga greva

Avokati i Popullit njoftoi se ka pranuar një letër nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit si dhe tashmë të gjitha palët kanë paraqitur qëndrimet e tyre për të dalë nga greva.

Përmes njoftimit, është bërë e ditur se Avokati i Popullit u është drejtuar palëve me një draft marrëveshje për një zgjidhje të mundshme.

“Sot, Avokati i Popullit ka pranuar letër nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës (SBAShK) dhe tanimë të gjitha palët kanë paraqitur qëndrimet e tyre për daljen nga kjo situatë. Me qëllim që të arrihet marrëveshja, Avokati i Popullit u është drejtuar palëve me një draft marrëveshje në të cilën ka propozuar një zgjidhje të mundshme, si zgjidhje e balancuar mbi bazën e qëndrimeve që palët kanë prezantuar, e njëkohësisht me kujdes janë paraqitur qëndrime që mund të sjellin konsensus”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Tutje, Avokati i Popullit është shprehur se edhe më tej do të angazhohet për përafrimin e palëve në një marrrëveshje, duke ripërsëritur se “Është urgjente gjetja e një zgjidhjeje që do të jetë në interes për të gjithë, në veçanti për fëmijët”.

“Në pritje të përgjigjeve nga palët, Avokati i Popullit do të mbaj të informur publikun”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Lexo edhe:  Ujësjellësi kap kosovarin duke ia vjedhur ujin fqinjit mërgimtar