Atmosferë festive në Tiranë: Mbërrijnë qytetarët e parë nga Kosova dhe një grup mërgimtarësh

Reshjet e shiut nuk kanë ndaluar qytetarët të cilët kanë nisur pak nga pak duke u grumbulluar në sheshin “Skënderbej” lidhur me protestën në mbështetje të lidëreve të UÇK-së e cila do të nisë orën 17:00.

Atmosfera në shesh është duke u “gjallëruar” minutë pas minute teksa qytetarët dhe shqiptarët e Kosovës mbërrijnë në Tiranë. Shumë persona janë nisur herët që të kalojnë edhe paraditen në Tiranë.

78-vjeçari, Daut Maloku pavarësisht moshës ka udhëtuar nga Prishtina herët në mëngjes drejt Tiranës. Ai për “Euronews Albania” shprehet se në Hagë po devijohet e vërteta dhe se lufta Çlirimtare ka qenë e pastër duke e krahasuar me lotin prandaj duhen përkrahur liderët e UÇK-së.

“Do të jetë një miting mbarëkombëtar për mbrojtjen e vlerave sublime themelore të UÇK. Kjo është e rëndësishme të tregojmë se këto vlera i kemi amanet nga dëshmorët, që gjithmonë ti respektojmë. Ajo që po ndodh në Hagë është e po dyshojmë se ka devijim nga e vërteta. Lufta çlirimtare ishte e pastër si loti,” tha ai.

Ka edhe nga ata që kanë marrë rrugën për Tiranë edhe nga shtetet e tjera. Një shqiptar i Kosovës së bashku me miqtë e tij ka udhëtuar nga Zvicra që të jetë pjesë e protestës. Ai për “Euronews Albania” u shpreh se është një ditë e rëndësishme për të dhënë përkrahjen e tyre ndaj liderëve të UÇK-së.

“Ne kemi ardhur me 10 shokë nga Bazeli i Zvicrës. Është një ditë e veçantë. Kemi ardhur të japim përkrahje çlirimtarëve. Ata janë liria e Kosovës, falë gjakut të dëshmorëve dhe Hashim Thaçit edhe bashkëluftëtarëve të tjerë sot jemi këtu e na jepet mundësia të përkrahim ata.

Ne kemi qene pjese e luftës dhe e kemi përjetuar. Jemi krenar që kemi qenë kemi pjesë e asaj historie. Hashim Thaçi është ikona e Shqiptarisë. Qindra e mijëra njerëz do vijnë për ti përkrahur”, tha ai.

Lexo edhe:  Duda Balje është ndaluar nga policia serbe në Merdar