Arrestohet shoferi i veturës që shkaktoi mbrëmë aksidentin me 3 të vdekur

Në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës thuhet se në aksidentin me fatalitet në autostradën Ibrahim Rugova, dyshohet se njëri nga shoferët ka humbur kontrollën dhe si pasojë ka goditur tre të rinjt që ishin anash rrugës duke parë garat.

Krahas tri viktimave edhe tre persona të tjerë kanë pësuar lëndime trupore.

Trupat e pajetë pasi është konstatuar vdekja e tyre nga ekipi mjekësor, janë dërguar në IML për obduksion ndërsa i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“AKSIDENT TRAFIKU ME FATALITET- Autostrada-Ibrahim Rugova, (km-15) 16.12.2023-22:45. Gjatë ngasjes në autostradë i dyshuari kosovar dyshohet se ka humbur kontrollin mbi veturën dhe për pasojë ka goditur tre persona meshkuj kosovar-këmbësorë. Si pasojë, tre personat e goditur kanë humbur jetën, ndërsa tre të tjerë kanë pësuar lëndime dhe janë dërguar për tretman mjekësor. Në vendin e ngjarjes ka dalë edhe prokurori i rastit dhe me vendimin e tij (tre) trupat e pajetë pasi është konstatuar vdekja e tyre nga ekipi mjekësor, janë dërguar në IML për obduksion. Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje. Hetimet lidhur me këtë aksident janë duke u kryer nga njësitet relevante policore.”, thuhet në raportin 24 orësh të policisë.

Lexo edhe:  Lajm i hidhur: Vdes invalidi i luftës së UÇK-së nga Prekazi - kishte 17 plagë në trup