Arrestohet sërish mitrovicasi me të kaluar kriminale, ishte dënuar me burgim për disa vepra penale

Për herë të disatë ka rënë në prangat e Policisë një 24-vjeçar nga Mitrovica, i cili është i njohur për organet e rendit për shkak të historisë së tij kriminale.

Këtë herë ai është arrestuar pasi po kërkohej me urdhëresë të Gjykatës, për dënimin që ishte shqiptuar ndaj tij për disa vepra penale, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Sh. S, i cili është kapur gjatë ditës së enjte, në orët e pasdites në qytetin e Mitrovicës.

Salihu është emër i njohur për Policinë pasi në të kaluarën është përfshirë në disa raste, të cilat i kushtuan edhe me dënim.

Për rastin e fundit ai ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e kishte shpallur fajtor, duke e akuzuar se ka kryer veprat penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”, “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll apo posedim i paautorizuar i armëve”.

Ndaj tij, Gjykata kishte shpallur aktgjykim duke e dënuar me 1 vit e gjashtë muaj burgim, që nuk e kishte vuajtur, por ka shijuar lirinë nga arratia.

Pas arrestimit, Salihu qshtë shoqëruar në stacion policor, ku pas përfundimit të procedurave, është dërguar në njërën nga qendrat e paraburgimit, për ta vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.

Kujtojmë se Sinjali në vazhdimësi ka raportuar për kapjen e personave të kërkuar në bazë të urdhëresave të Gjykatave, por të cilët kanë qëndruar në arrati, duke iu ikur kështu prangave të Policisë.

Lexo edhe:  Aksidenti me fatalitet në Ferizaj: Ky është shoferi që la të vdekur këmbësorin 64-vjeçar, duke vozitur me shpejtësi të madhe