Arrestohet një person në Obiliq për armëmbajtje pa leje – Arma u gjet gjatë një bastisjeje në Breznicë

Posedimi i armëve është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë dhe sillen lirshëm me to. E këto raste bëhen akoma më të rënda kur përfshihen të miturit.

Një rast i tillë ka ndodhur mëngjesin e së martës në komunën e Obiliqit, ku Policia e Kosovës ka ndërmarrë një aksion të befasishëm në një shtëpi në fshatin Breznicë, si rezultat i të cilit është sekuestruar një armë zjarri dhe është iniciuar procedurë penale ndaj një të moshuari.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se bastisja është zhvilluar rreth orës 08:30, në shtëpinë e 79-vjeçarit I.M., në rrugën “Hazir Muli”. Gjatë kontrollit, njësitet policore kanë hasur në një armë zjarri të tipit TT M57, të cilën i dyshuari e mbante pa autorizim.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar procedurë penale për veprën “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa rasti po trajtohet në procedurë të rregullt.

Lexo edhe:  Tragjike: Vdes trevjeçari në Podujevë, e zuri rrota e traktorit