Arrestohet një person i dyshuar për krime lufte kundër popullsisë civile

Një person me inicialet S.S. është arrestuar nga Policia e Kosovës nën dyshimet për kryerjen e krimeve të luftës kundër popullsisë civile gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Arrestimi është kryer në pikën kufitare në Merdare, në kufi me Serbinë, nga hetuesit e Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Luftës, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Kosovës.

Sipas autoriteteve, i dyshuari S.S. dyshohet për përfshirje në krime lufte në Komunën e Vushtrrisë.

Ai është ndaluar për 48 orë, ndërsa brenda afateve të përcaktuara ligjore, Prokuroria Speciale do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Hetimet janë në vijim dhe institucionet përgjegjëse po ndërmarrin të gjitha veprimet e nevojshme konform Kodit të Procedurës Penale të Republikës së Kosovës.

Lexo edhe:  Haradinaj: Dy lajme të mira nga miqtë tonë ShBA-ja