Arrestohet një i mitur për vrasje në tentativë
Policia e Kosovës ka arrestuar një person të mitur, pasi që i njëjti dyshohet për veprën penale “Vrasje në tentativë”.
E.K., dyshohet se i ka lënduar dy persona me një mjet të mprehtë, sot në rrugën “Lidhja e Prizrenit” në Lipjan.
Lajmin për teve1.info e ka konfirmuar, zëdhënësja e Policisë për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila ka bërë të ditur se personat e lënduar janë dërguar për trajtim mjekësor.
“Bazuar në të dhënat fillestare në këtë rast janë lënduar dy persona, të cilët dyshohet të kenë pasur lëndime nga një mjet i mprehtë”, ka thënë Ahmeti.
Ndërkohë, në njoftimin e PK-së njoftohet se i mituri me vendim të prokuroit është dërguar në qendrën e mbajtjes.
“Aktualisht hetuesit janë duke kryer procedurat e nevojshme lidhur me rastin i cili është cilësuar si ‘Vrasje në tentativë’”, thuhet tutje në njoftim.