Arrestohet në Mitrovicë personi që dyshohet se e shtyu në fajde dhe tentim-vetëvrasje 56-vjeçarin

Policia e Kosovës në Mitrovicë ka arrestuar një person të dyshuar për veprat penale “Shtytje në vetëvrasje” dhe “Fajde”. Pas hetimeve, ka rezultuar se 48 vjeçari B.D kishte i kishte dhënë para me fajde një personi i cili pastaj “nga presioni për të paguar kishte tentuar të kryejë vetëvrasje”.
Me datën 6 tetor Policia në Mitrovicë ishte njoftuar se një person ishte dërguar në emergjencën e spitalit pas dyshimeve që kishte konsumuar tretës kimik.

Viktima kishte pranuar tretmanin mjekësor ne emergjencën e spitalit rajonal dhe me pas ishte përcjellur në QKUK për trajtim të mëtejmë pas së cilit gjendjen e kishte stabile.

“Sektori Rajonal i Hetimeve nga DRP Mitrovicë, ka filluar me hetimin e rastit ku pas intervistimit të viktimës dhe disa dëshmitarëve në lidhje me rastin, janë gjetur dëshmi se viktima kishte marrë para me fajde nga një person dhe nga presioni për të paguar fajde, kishte tentuar të kryejë vetëvrasjen. Gjatë zhvillimit të hetimeve është identifikuar personi i cili dyshohet se është i përfshirë në këtë vepër”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Ndërsa mëngjesin e sotëm hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve kanë arrestuar të dyshuarin në vendbanimin e tij si dhe kanë kryer kontroll në shtëpinë e tij dhe objektet përcjellëse. Sipas Policisë, aty nuk është gjetur ndonjë dëshmi lidhur me rastin.

Lexo edhe:  Tek miqtë e Kurtit, takohen Hisen Berisha dhe Armend Mehaj