Arrestohet Miftar Dobraj, i dyshuar për tentim-vrasjen në Pejë – dorëzon armën me të cilën kreu veprën
Gazeta Sinjali ka raportuar së fundmi për një përplasje të armatosur me motive hakmarrjeje që ka ndodhur në Pejë.
Siç ka raportuar Sinjali, në këtë rast janë të përfshirë dy persona të njohur për organet e rendit: Miftar Dobraj dhe Dardan Manaj, i njohur me nofkën “Manilla”.
Sinjali pati raportuar se ngjarja ishte pasojë e një konflikti të mëhershëm, pasi më parë dyshohet se djali i Manajt kishte qëlluar ndaj Dobrajt, ndërsa sot, pasi janë “zatet” me vetura në rrugë, Miftar Dobraj dyshohet se ka shtënë me armë në drejtim të Manajt.
I njëjti që nga ajo kohë ka qenë në kërkim nga Policia, mirëpo, lidhur me këtë, Sinjali mëson ekskluzivisht se është vënë në pranga Miftar Dobraj, rreth 38-vjeçar, i dyshuar për përfshirje e vrasjes në tentativë, që ndodhi më 22 prill 2025 në rrugën “Vëllezërit Gërvalla” në Pejë.
Sipas burimeve të Sinjalit, më 13 maj 2025, rreth orës 14:00, pas një sërë veprimesh hetimore nga Sektori Rajonal i Hetimeve, është realizuar arrestimi i të dyshuarit kryesor. Ai është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës, të caktuar nga familja e tij.
Gjatë procedurës, i dyshuari ka dorëzuar armën me të cilën dyshohet se ka kryer veprën penale – një pistoletë me gas e llojit BLOWFOG, kalibër 9 mm P.A.K, si dhe një karikator me dy fishekë me mbishkrimin “Pobjeda 9mm P.A.K.”
Pas intervistimit, Prokurorja e rastit ka lëshuar aktvendim për ndalimin e tij për 48 orë në ambientet e ndalimit të Policisë.
Rasti është iniciuar si “Vrasje e rëndë e mbetur në tentativë” dhe po hetohet nga Sektori Rajonal i Hetimeve në Pejë.