Arrestohet i shumëkërkuari Kushtrim Elezkurtaj, dërgohet në vuajte të dënimit për “kontrabandë emigrant”

Policia e Kosovës e ka arrestuar të shumëkërkuarin Kushtrim Elezkurtaj, i cili kishte urdhërarrest nga Gjykata Themelore në Prizren.

Elezkurtaj kërkohej për veprën penale “kontrabandë me emigrant”, vepër për të cilin ishte dënuar me 18 muaj burgim.

Arrestimin e tij e ka konfirmuar edhe Policia, e cila ka njoftuar se i njëjti është dërguar menjëherë në vuajte të dënimit në Burgun e Prishtinës, në Hajvali.

Kushtrim Elezkurtaj, ishte arrestuar edhe në fillim të korrikut, të vitit 2022, në fshatin Gjuricë të Malishevës, saktësisht në autostradën ‘Ibrahim Rugova’, teksa po kontrabandonte 34 shtetas të Sirisë.

Një muaj më pas ai ishte dënuar, dënim të cilin nuk e kishte vuajtur për shkak të arratisjes së tij.

Ndryshe, sirianët që u gjetën në furgonin e tij, dyshohet se  në mënyrë të organizuar kanë ardhur përmes rrugëve ilegale nga Turqia, ku atje secili prej tyre ka paguar një shumë parash me qëllim udhëtimi përmes Greqisë, Shqipërisë dhe Kosovës deri në Serbi e më pas në drejtim të shteteve të Bashkimit Evropian.

Lexo edhe:  Përleshje me mjete të forta mes nxënësve në Gjakovë, tre të mitur dërgohen në spital