Arrestohet i dyshuari që vrau me thikë babanë e bashkëshortes në Prishtinë
Një konflikt familjar përfundoi tragjikisht të mërkurën në mbrëmje në Prishtinë. 29-vjeçari, Edon Bujupi, që dyshohet se ka goditur disa herë me thikë babanë e bashkëshortes së tij, 52-vjeçarin, Ali Kosova, tashmë është arrestuar, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali mëson se Bujupi ndodhet në stacion policor, ku pritet të intervistohet lidhur me rastin.
Bujupi, i cili me të kryer veprën e rëndë për të cilën dyshohet, fillimisht ishte arratisur nga vendi i ngjarjes për në drejtim të panjohur, teksa sot është siguruar prezenca e tij.
Por si ndodhi e gjithë ngjarja?
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë zbardhur detaje nga dëshmitë e dy fëmijëve të Kosovës, të cilët konfirmuan se babai i tyre u vra nga dhëndri, Edoni.
Sipas tyre, pas një konflikti verbal mes Aliut dhe Edonit, ky i fundit i është sulur me thikë. Pavarësisht tentativës që t’i shmanget, Aliu është goditur disa herë me thikë, duke marrë plagë të cilat do t’i kushtonin me jetë.
Sinjali mëson se plagët që mori, i kishte në pjesën e gjoksit dhe pavarësisht intervenimit të stafit mjekësor në QKUK, ai s’ka arritur që t’i përballojë ato.
Ndërkohë Policia ka shpallur në kërkim të dyshuarin, Edon Bujupi, i cili dyshohet për veprën penale ‘Vrasje’.
Kujtojmë që Bujupi një javë para krimit, ishte raportuar i zhdukur nga bashkëshortja e tij.