Arrestohet i arratisuri i famshëm me të kaluar kriminale, kapet sërish nga Policia

I arratisuri i famshëm për disa herë me radhë, Isak Sfeçla ka rënë së fundmi në prangat e Policisë. Nën dyshimet se është përfshirë në një rast të dhunës në familje, 35-vjeçari po kërkohej edhe për sulm ndaj Policisë, teksa ai është arrestuar mbrëmë në rrugën “Ibrahim Lutfiu” në Prishtinë.

Siç kishte raportuar Sinjali tre muaj më parë, Sfeçla dyshohet se kishte sulmuar zyrtarët policorë të cilët intervenuan në një konflikt që kishte ndodhur në familjen e tij.

Burimet e Sinjalit kishin bërë me dije se fillimisht Sfeçla kishte tentuar t’i godasë policët me një shufër metali e më pas bashkë me personin tjetër i kanë sulmuar fizikisht.

E i dyshuari për këtë rast, Sfeçla është munduar ta bëjë “të fortin” edhe në arrestimin e mbrëmshëm, ku dyshohet se ka kërcënuar një zyrtar policor.

Sinjali mëson se pasi ai është shoqëruar në stacion dhe janë kryer procedurat, është dërguar në mbajtje.

Lidhur me rastin e kërcënimit Policia ka bërë të ditur se ka hapur rast të veçantë.

Ndryshe, Sinjali edhe më parë ka raportuar për rastet dhe për të kaluarën e Isak Sfeçlës.

Në dhjetor të vitit 2022, Policia Rajonale në Gjilan kishte kërkuar ndihmën e qytetarëve për lokalizimin dhe arrestimin e Isak Sveçlës, i cili ishte shpallur në kërkim për më shumë se dy javë, pasi kishte arritur të ikë nga vetura e Policisë derisa po dërgohej në Qendrën e Paraburgimit.

Burimet nga Prokuroria kishin bërë me dije se i dyshuari ishte shoqëruar në stacion policor në lidhje me një rast që ishte denoncuar dhe derisa polici po konsultohej me Prokurorin e Shtetit në lidhje me inicimin e rastit ndaj të dyshuarit, ky i fundit ishte ‘zhdukur’.

Lexo edhe:  Nesër i jepet lamtmira e fundit gruas që humbi jetën tragjikisht në Liqenin Akumulues në Mitrovicë

Kjo bëri që Policia të aktivizohej sërish, me ç’rast u zbulua se i dyshuari kishte shkuar fillimisht në shtëpinë e tij, ku ka tentuar t’i sulmojë prindërit e tij dhe më pas është larguar sërish në një drejtim të panjohur dhe ende nuk është bërë lokalizimi i vendndodhjes së tij.

Burimet e Sinjalit kishin bërë me dije se i dyshuari po kërkohej për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.