Arrestohet gjakovari që rrëmbeu një grua dhe ishte larguar në drejtim të panjohur

Dhuna fizike e verbale mbi gratë nuk mungon në Kosovë, e cila në disa raste shfaqet edhe publikisht, pa ndrojtje. Gjinia mashkullore shpesh tenton që duke ushtruar forcë fizike t’i rregullojë problemet.

Një rast mjaft shqetësues ka ndodhur edhe në qytetin e Gjakovës, ku 36-vjeçari me inicialet M.U është arrestuar këtë të premte, pasi dyshohet se kishte rrëmbyer një grua dhe ishte larguar në drejtim të panjohur.

Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Sheremet Elezaj teksa njoftoi se i dyshuari është arrestuar nga organet e rendit.

“Sot me datën 15.09.2023 rreth orës 15:20, Stacioni Policor në Gjakovë ka pranuar informatë se një person mashkull i moshës madhore në rrugën ‘Yll Morina’ në Gjakovë kishte tërhequr me forcë një grua nga një taksi dhe e kishte futur në veturën e tij dhe ishte larguar në drejtim të panjohur”, thuhet në njoftimin për media.

Pa humbur kohë është filluar me mbledhjen e informatave dhe pas një procesi operativ dhe hetimor është arritur të identifikohet dhe të arrestohet i dyshuari me inicialet M.U., mashkull kosovar i lindur në vitin 1987 mbi dyshimin se kishte privuar nga liria viktimën (femër e moshës madhore) dhe i kishte shkaktuar lëndime trupore”.

Viktimës bëhet e ditur se iu është ofruar ndihma mjekësore si dhe është njoftuar prokurori i shtetit me vendimin e të cilit i dyshuari është ndalur në mbajtje si dhe është iniciuar rast “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Privimi i kundërligjshëm i lirisë”.

Lexo edhe:  Kampi "Bondsteel" shpall konkurs pune, rroga 1900 euro