Arrestohet dhe suspendohet një zyrtar policor në Viti, dyshohet se rrahu babanë e tij

Një zyrtar policor në stacionin policor në Viti është arrestuar dhe suspenduar të hënën me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës, nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Dhunë në familje”.

Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se polici i dyshuar është arrestuar pas denoncimit të babait të tij, i cili ka raportuar se është sulmuar fizikisht nga dy djemtë e tij, në shtëpinë e tyre në Kllokot.

Rasti dyshohet se ka ndodhur dje në mesditë dhe posa është denoncuar, janë aktivizuar njësitë përkatëse, teksa është vënë në dijeni edhe IPK, me ç’rast janë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore.

Përveç policit të dyshuar, është arrestuar edhe vëllai i tij, që dyshohet se ka kryer të njëjtën vepër penale dhe më pas të njëjtit janë intervistuar lidhur me rastin.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, zyrtari policor dhe vëllai i tij i dyshuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë.

Sinjali do të iu mbajë të informuar lidhur me detajet e reja.

Lexo edhe:  Dimri erdhi, meteorologët tregojnë motin për sot