Arrestohen tre nga katër të dyshuarit për rrahjen e policit në Shtime

Rastet e sulmeve ndaj zyrtarëve policorë, qoftë në uniformë apo edhe jashtë detyrës zyrtare nuk janë të rralla. Një incident i tillë ndodhi me 28 nëntor në një lokal në Shtime, ku ishte organizuar një ndejë për festën e flamurit dhe u sulmua brutalisht një polic.

Sinjali raportoi dje se rrahja ka ndodhur në restorantin ‘Matta Lounge Bar’, ku polici në fjalë (emër i njohur për redaksinë), jashtë detyrës zyrtare, kishte shkuar me një person tjetër për të festuar.

Grupi i dyshuar prej katër personash po dyshohet se ia kanë zënë pritën zyrtarit policor, të cilin e ka sulmuar posa ka shkuar në tualet.

Sinjali mësoi mbrëmë se personat e dyshuar janë Qëndrim Arifi, Lavdon Arifi, Florent Arifi dhe Genc Zeqiri.

Sinjali ka mësuar se tre nga katër të dyshuarit tashmë janë arrestuar nga Polica e Kosovës, ndërkaq Genc Zeqiri ndodhet në arrati.

Sipas informacioneve që posedon Sinjali, të dyshuarit e kanë goditur policin me mjet të fortë dhe e kanë grushtuar, duke i shkaktuar lëndime trupore.

Për të mos mbaruar me kaq, zyrtari policor edhe është kërcënuar e më pas ia kanë rrahur shokun që ishte me të.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është iniciuar hetimi në drejtim të veprave penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, “Lëndim trupor” dhe “Kanosje”.

Lexo edhe:  UEFA merr vendim për Dakun, e dënon rëndë, ai nuk luan nesër kundër Spanjës