Arrestohen dy gra në Deçan, e rrahën një burrë

Tri raste të dhunës në familje janë raportuar në 24 orët e fundit në Policinë e Kosovës.

Një rast ka ndodhur në Obiliq, një në Prizren dhe një rast në Deçan.

Lidhur me këto raste policia ka arrestuar personat e dyshuar.

Në Obiliq, dje rreth orës 19: 10 një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka ushtruar dhunë fizike ndaj viktimës grua.

Viktima sipas Policisë, është dërguar për tretman mjekësor.

I dyshuari është intervistuar dhe me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje, ka njoftuar PK.

Në Prizren një burrë është arrestuar nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht një person tjetër.

“Viktimës i është ofruar tretman mjekësor pasi që si pasojë e sulmit ka pësuar lëndime të lehta trupore”- thuhet në njoftimin e Policisë.

Rasti ka ndodhur dje rreth orës 09:00, ndërsa me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

Një rast i dhunës në familje është raportuar mbrëmë në Deçan.

Dy gra janë arrestuar nën dyshimin se pas një mosmarrëveshje e kanë sulmuar fizikisht një burrë.

Policia ka njoftuar se palët janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, njëra prej tyre është liruar ndërsa e dyshuara tjetër është dërguar në mbajtje.

Lexo edhe:  Elshani: Faton Hajrizi do vepronte me neve siç veproi me policinë serbe, do t’i ndodhte e njëjta