Arrestimi i kolonelit Nexhmi Krasniqi, Sveçla: Nuk ka vend për kriminelë në radhët e Policisë

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka përgëzuar Inspektoratin Policor të Kosovës për aksionin e realizuar ditën e hënë, e ku në mesin e të arrestuarve ishte edhe ish-drejtori rajonal i Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi.

Sveçla në reagimin e tij ka shkruar se krimi nuk ka vend në shoqërinë tonë, e posaçërisht nuk ka vend për kriminelë në radhët e Policisë.

“Përgëzoj Inspektoratin Policor të Kosovës për aksionin e djeshëm, ku u arrestuan katër qytetarë, ndër ta edhe një zyrtar i lartë i Policisë së Kosovës. Krimi nuk ka vend në shoqërinë tonë, e posaçërisht nuk ka vend për kriminelë në radhët e Policisë”.

“Mbështes dhe njëkohësisht insistoj në veprime edhe më të vendosura të Inspektoratit, që radhët e Policisë të pastrohen nga elementë të tillë që njollosin emrin e institucionit më kredibil dhe me besueshmërinë më të madhe në vend”, ka deklaruar ai.

Sveçla shtoi tutje se, Policia e Kosovës duhet të jetë adresë e luftimit të krimit dhe asnjëherë dhe ne asnjë rrethanë çerdhe banimi e mburojë e veprimtarive kriminale.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prizren, në bashkëpunim të ngushtë me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK), ka zhvilluar një aksion të koordinuar që ka rezultuar me bastisjen e katër lokacioneve në qytetin e Prizrenit dhe arrestimin e katër personave të dyshuar.

Sipas njoftimit zyrtar, ky aksion është rezultat i një hetimi disa mujor, i cili është realizuar me përkushtim nga hetuesit e IPK-së, në bashkëpunim të plotë me Prokurorinë Themelore në Prizren.

Në mesin e të arrestuarve është edhe ish-drejtori rajonal i Policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi.

Lexo edhe:  Pronari i Autosallonit “Alberti”, në mesin e të arrestuarve në aksionin e djeshëm të Policisë