Arratiset nga burgu i Dubravës, Ujkan Metaj, i burgosuri i dytë që ikën brenda gjashtë ditësh

Shërbimi Korrektues i Kosovës ka konfirmuar arratisjen e Ujkan Metajt nga Burgu i Dubravës.

Këtë e ka konfirmuar nëpërmjet ftesës për një konferencë për media që do të mbahet të shtunën në orën 11.

SHKK-ja ka deklaruar se në këtë konferencë do të diskutohet lidhur me dy “largimet e fundit nga institucionet e tipit të hapur”.

“Në këtë konferencë do të jenë të pranishëm,zZëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu, dhe Drejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani, të cilët do të japin informacione të detajuara mbi këtë çështje dhe do të përgjigjen në pyetjet tuaja”, thuhej në njoftim.

Metaj ka ikur vetëm gjashtë ditë ditë pasi Faton Hajrizi, i dënuar për vrasjen e policit rus të UNMIK-ut, është arratisur nga Qendra Korrektuese e Smrekonicës.

Ujkan Metaj i dënuar me 11 vjet burgim. Emri i Ujkan Metajt është i njohur edhe në rastin e vrasjes së policit, Izmet Demaj.

Gjykata Themelore në Pejë gjatë 2019 e kishte dënuar me pesë vjet burg, të akuzuarin Ujkan Metaj, pasi i njëjti e kishte pranuar fajësinë se e kishte ndihmuar tani të ndjerin Kamer Metaj, për të kryer grabitjen e bankës në Istog, ku si pasojë e kësaj, ishte vrarë polici Izet Demaj.

Gjatë kësaj grabitje, gjatë shkëmbimit të zjarrit me pjesëtarë të policisë, kishte mbetur i vdekur edhe grabitësi Kamer Metaj.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetarja e trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri, të akuzuarit Ujkan Metaj do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgimin nga 27 dhjetori 2018, e tutje, raportonte atëherë Betimi për Drejtësi.  Por më pas Apeli ia shtoi edhe dy vjet, e që në plotëni ai për këtë rast u dënua me 7 vjet burgim.

Në bazë të këtij aktgjykimi është shqiptuar edhe dënimi plotësues, konfiskimi i automjetit “Golf 4”, pronë e tani të ndjerit Kamer Metaj, një pushkë automatike “AK 47”, një granat dore “M-75” dhe një revole e tipit “Çeska”.

Lexo edhe:  “E mllefosur për shkak të papastërtisë së viktimës”: Ngritet aktakuzë ndaj 64-vjeçares që vrau kunatën e saj në Dragash

Përndryshe ndaj Metajt ka ekzistuar edhe një aktakuzë për tentim vrasje.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë, më 5 maj 2018, pretendohet se i akuzuari Ujkan Metaj, me 3 dhjetor 2017, rreth orës 11:25, në afërsi të fshatit  Rakosh, Komuna e Istogut, ka tentuar ta privojë nga jeta të dëmtuarin Bajram Sadrijaj, në lidhje me detyrën zyrtare të tij, dhe e ka vu në rrezik jetën e personave të tjerë, dhe atë të dëmtuarit Sokol Januzaj.