Arben Fetai lobon tek Albin Kurti dhe Ambasada Amerikane për t’u bërë kryetar i VLEN-it
Nuk ka rahati te Aleanca Shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Pas përçarjes ndërmjet Ziadin Selës dhe Arben Taravarit, sërish ka një çarje në ASH. Por më shumë se çarje duket se beteja në mes shqiptarëve që përfaqësohen në Qeverinë e Mickoskit, është për lidership dhe primat.
Largimi i Arben Taravarit nga Qeveria e Maqedonisë, rrjedhimisht nga koalicioni i partive shqiptare që njihet si VLEN, e ka lënë këtë koalicion pa lider. Siç dihet, VLEN-i ishte krijuar me bekimin e Albin Kurtit si kundërshtim për BDI-në e Ali Ahmetit. Dhe pikërisht Taravari ishte ai që “mori dorë” te Kurti për të drejtuar këtë formacion politik.
Kur VLEN-i mbeti pa drejtues, dikush u nis nga Shkupi për në Prishtinë. Edhe pse ishte ditë pushimi, të shtunën që lamë pas zëvendëskryeministri Arben Fetai erdhi te Kurti për të zhvilluar, siç tha ai, një “muhabet vëllazëror”.
Mirëpo, burime te Ballkani.info brenda partive shqiptare në Maqedoni, thonë se Arben Fetai erdhi me urgjencë në Kosovë për të lobuar që të bëhet udhëheqës i VLEN-it. Burimet tona po ashtu thonë se Fetai ka lobuar edhe në Ambasadën Amerikane që ta merr drejtimin e VLEN-it. Madje ai dje është takuar me zëvendës-shefen e Ambasadës, Nicole Varner.
“Kafen e mëngjesit e pimë në konakun më të rëndësishëm për shqiptarët në vendin tonë – Ambasadën e SHBA-së – ku na mirëpriti zëvendës-shefja e misionit, Nicole Varnes. Me miken tonë, biseduam për partneritetin tonë të vazhduar në luftën kundër korrupsionit, promovimin e shtetit të së drejtës dhe mbështetjen në rrugëtimin tonë drejt Bashkimit Evropian”, ka shkruar Fetai.
E takimin me Kurtin, Fetai e përshkruan si një “bisedë vëllazërore”, por më pas iu referua si mik. “Në agimin e kësaj dite, së bashku me disa miq të idealit nga Aleanca për Shqiptarët, morëm rrugën drejt Prishtinës, duke përshkuar autostradën “Arbën Xhaferi”, një rrugë që për ne nuk është thjesht infrastrukturë, por simbol i lidhjes sonë shpirtërore dhe kombëtare. Aty në Prishtinë, zhvilluam një bisedë vëllazërore me mikun tonë, Albin Kurti. Ajo që na bashkon sot, më shumë se kurrë, është vizioni dhe ideali ynë i përbashkët për progres dhe zhvillim, një ideal që s’njeh kufij, as pengesa” ka shkruar Fetai.
Por burimet e Ballkani.info theksojnë se Kurti nuk ka shumë interes për t’u marrë me shqiptarët në Maqedoninë e Veriut, gjegjësisht me partitë politike shqiptare, për shkak të problemeve të mëdha në lidhje me krijimin e qeverisë. Kurtit nuk i doli për hajrë bashkëpunimi me VLEN-in, pasi dështimi i VLEN-it në qeverinë e Mickoskit i ndikoi edhe në uljen e rejtiungut në Kosovë, andaj Kurti këtë radhë ka vendosur që të fotografohet, por mos të veprojë aq shumë sa herën e kaluar. Të paktën deri tash kështu po duket!
Mirëpo, Fetai drejt rrugës për t’u ngjitur në krye të VLEN-it, koalicion ky që po përgatitet të shndërrohet në parti të mirëfilltë politike, e ka një pengesë të madhe. Izet Mexhiti mund të jetë ai që e synon këtë pozitë.
Ditë më parë zëvendëskryeministri i parë, Izet Mexhiti, në një intervistë ka paralajmëruar fillimin e procedurave për krijimin e një subjekti të ri politik të përbashkët nga koalicioni VLEN. Sipas tij, ky subjekt do të ketë një strukturë të konsoliduar, me shtab, qendër informative, kandidatë, program dhe lista këshilltarësh të përbashkëta.
“Prej javës së ardhshme fillon procedura për themelimin e një subjekti politik të VLEN-it i cili do të ketë një shtab të përbashkët, një qendër informative, kandidatët e përbashkët, programin e përbashkët, listat e këshilltarëve të përbashkëta,” deklaroi Mexhiti.
Ai shtoi se ndonëse ende nuk është definuar pozita e kryetarit, kjo nuk paraqet problem, pasi qëllimi kryesor është unifikimi dhe organizimi më i mirë përballë zgjedhjeve lokale.
Nga ana tjetër Arben Taravari ditë më parë dha dorëheqje nga Ministria e Shëndetësisë për t’ju rikthyer popullit që në tetor të këtij viti siç ka thënë vet Taravri ASH-ja do të ketë sukses të jashtëzakonshëm në zgjedhjet lokale