Anulohet i konkursi i Policisë për gradim në rreshter pasi i IPK gjeti lëshime në proces

Policia e Kosovës sot ka marrë vendim që të anulojë procesin e gradimit për rreshter në këtë institucion. Anulimi dhe kthimi i procesit në pikën zero ka ardhur me rekomandim të Inspektoratit Policor të Kosovës pasi janë gjetur lëshime.

Arbër Beka, zëdhënës i IPK-së ka thënë se inspektimi i jashtëzakonshëm ka filluar me kërkesën e kryeshefit ekzekutiv bazuar në numrin e madh të ankesave si dhe raportimeve të mediave.

“IPK ka filluar këtë inspektim më 13 maj dhe bazuar në shumë aktivitete inspektuese në terren që janë ndërmarrë nga departamenti i inspektimeve, kontaktet që i kanë pasur me zyrtarë të departamentit të Burimeve Njerëzore të PK-së, nga ky inspektim kanë dalë tetë rekomandime prej të cilave është zbuluar se është cenuar kredibiliteti i procesit të gradimit bazuar në disa lëshime që janë evidentuar si rezultat i inspektimit, ku IPK ka dhënë tetë rekomandime, përfshirë edhe rekomandimin për Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë që të ndërmarrë veprime për të evituar çfarëdo lëshimi në këtë proces të gradimit. Bazuar në këto rekomandime, PK ka marr vendimin që të kthejë në pikën zero këtë proces të gradimit”, ka thënë Beka në Klan Kosova.

Ai tha se raporti i inspektimit dhe shqyrtimi i ankesave nuk janë proces i njëjtë dhe se ky i fundit është duke vazhduar në departamentet për menaxhimin e ankesave të IPK-së, “përderisa procesi i inspektimit ka shikuar aspektin administrativ të lëshimeve të mundshme që mund të kenë qenë gjatë këtij procesi”.

Lexo edhe:  KEDS njofton për ndërprerjet e energjisë elektrike për të premten