Anulohen operacionet në Spitalin e Mitrovicës, shkak mungesa e NaCl-së

Në Spitalin e Mitrovicës sot është anuluar programi operativ meqë ka pasur mungesë të tretjeve fiziologjike.

Reparti i kirurgjisë në Spitalin e Mitrovicës sot e ka pasur ditën e programit operativ ku kanë qenë të planifikuar pesë pacientë, por ky program nuk është realizuar, shkruan Gazeta Shneta.

Pesë operacionet janë anuluar sepse në këtë spital ka mungesë të tretjeve fiziologjike apo NaCL.

Kështu ka bërë të ditur njëri nga mjekët në këtë spital. Ai ka thënë se kanë sasi të NaCl-së vetëm për raste urgjente.

“Tretje kemi vetëm për raste urgjente. NaCl është e domosdoshme për operacione dhe nuk kemi mjaftueshëm, prandaj jemi detyru me anulu programin. Nesër e kemi një mbledhje urgjente me menaxhmentin dhe do të vendosim për ma tutje”, ka deklaruar ai.

Gazeta ka kërkuar sqarime edhe nga menaxhmenti i spitalit por ud.drejtoresha Laura Nushi nuk ka kthyer përgjigje.

SHSKUK dhe Barnatorja Qendrore kanë deklaruar se janë të furnizuar me NaCl, por nuk kanë sqaruar më shumë për rastin e Spitalit të Mitrovicës

Lexo edhe:  Dyshohet se mashtruan kosovarin që e ka vëllain e burgosur në Serbi, arrestohen tre serbë në Klinë