Antidroga ia gjen një personi 29 qese me kokainë të fshehura në veturë

Antidroga mbrëmë rreth orës 19:30 në rrugën Fehmi Agani i ka gjetur një personi kokainë, ku më pas pas kontrollit nga njësiti K-9, i dyshuari ka treguar se në veturë ka ende kokainë të fshehur.

Në veturën e të dyshuarit ndodheshin edhe dy persona tjerë tek të cilët nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.

Gjatë kontrollit të veturës, janë gjetur 29 qese me kokainë, një revole, karikator dhe 21 fishekë.

Komunikata e plotë:

Hetuesit policor nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë e Policisë së Kosovës, njësia në Prishtinë, gjatë punës aktive në teren, me datë 21.12.2024 rreth orës 19:30, në rrugën “Fehmi Agani” në Prishtinë kanë ndaluar veturën e tipit GOLF 7, ngjyrë e bardhë me targa vendore të cilën ishte duke e drejtuar i dyshuari me iniciale (I.R.) dhe pasagjerë në veturë ndodheshin edhe dy persona të tjerë.

Gjatë kontrollit sipërfaqësor tek tre personat dhe në veturë nuk është gjetur asgjë e dyshuar, megjithatë pas dyshimeve të ngritura të njëjtit janë shoqëruar në Stacionin Policor Qendra në Prishtinë për kontroll më të detajuar.

Gjatë realizimit të kontrollit në trup tek i dyshuari i lartcekur me iniciale (I.R.) është gjetur një qese me pluhur ngjyrë e bardhë e dyshuar për narkotik të llojit kokainë me peshë 0.6 gramë si dhe në kuletën e tij është gjetur një qese me pluhur ngjyre të bardhe e dyshuar po ashtu e dyshuar si narkotik i llojit kokainë me peshë 0.6 gramë, përderisa tek dy personat e tjerë nuk është gjetur asgjë e dyshuar.

Lidhur me vazhdimin e detajuar të kontrollit të veturës është kërkuar ndihmë nga njësiti K-9 ( njësiti me qen policor), i cila ka dal në vendin e ngjarjes. I dyshuari me të parë qenin e Policisë ka treguar se në veturë nën mbishtesën e dorës në mes të shoferit dhe pasagjerit ka të fshehur një sasi të kokainës si dhe në dollapin poshtë timonit ka një revole.

Lexo edhe:  Le pas katër fëmijë, vdes drenicasi, familja në gjendje të rëndë ekonomike

Kontrolli policor ka vazhduar dhe në këto dy vende të potencuara me lart në veturë janë gjetur të fshehura: 29 qese të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë të dyshuar për narkotik të llojit kokainë me peshë 16.7 gramë, një revole e tipit SIG SAUER, me një karikator, si dhe 21 fishek të kalibrit 9mm. Në kuletën e të dyshuarit po ashtu janë gjet të holla në vlerë prej 570 euro dhe 50 franga.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori kujdestar dhe me urdhër të tij i dyshuari dërgohet në mbajtje prej 48 orësh për veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Mbajtje në pronësi, kontroll dhe posedim i pa autorizuar i armës” Dy personat tjerë intervistohen në cilësi të dëshmitarit.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në parandalimin e të gjitha veprimeve të kundërligjshme dhe masa rigoroze do të ndërmerren në bashkëpunim me organet e drejtësisë ndaj të gjithë atyre individëve apo grupeve që përfshihen në aktivitete kriminale.