Anëtari i kryesisë së GUXO jep dorëheqje

Anëtari i Kryesisë Qendrore të partisë Partia GUXO, Kujtim Hajdaj, ka njoftuar se ka vendosur të pezullojë për një kohë të pacaktuar aktivitetin e tij politik brenda kësaj partie. Vendimi i tij vjen në një periudhë tensionesh dhe zhvillimesh të fundit brenda subjektit politik që drejtohet nga Donika Gërvalla-Schwarz.

Përmes një reagimi publik, Hajdaj ka bërë të ditur se vendimi lidhet edhe me mbështetjen që ai i ka dhënë publikisht presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, si dhe me disa rrethana të tjera që, sipas tij, janë krijuar në raport me udhëheqjen e partisë.

“Duke qenë se unë kam dalë publikisht në mbështetje të Vjosa Osmani për Presidente, dhe duke u bazuar në disa rrethana tjera që m’u janë krijuar në raport me udhëheqjen e Partisë GUXO, që nuk dua t’i komentoj këtu, kam marrë vendim – për një kohë të pacaktuar – që të pushoj aktivitetin tim politik në kuadër të Partisë GUXO, si anëtar i kryesisë qendrore dhe si koordinator i saj jashtë Kosovës”, ka shkruar Hajdaj.

Ai ka theksuar se, pavarësisht këtij vendimi, do t’i ruajë kujtimet më të mira nga rrugëtimi i tij politik në këtë subjekt, duke përmendur bashkëpunimin me shumë aktivistë dhe mbështetës që, sipas tij, kanë vepruar me përkushtim për shtetin e Kosovës.

“Sigurisht, unë do t’i mbaj dhe ruaj kujtimet më të mira të atij rrugëtimi politik, sepse përgjatë krejt asaj periudhe kohore, prej daljes në skenë politike të Listës ‘Vjosa’ kam hasur dhe bashkëpunuar pastër dhe ndërgjegjshëm me shumë njerëz të mirë, patriot e patriote, që e duan popullin dhe shtetin tonë sovran, Republikën e Kosovës”, ka theksuar ai.

Lexo edhe:  Këta janë dy personat që u vranë në Çarshinë e Shkupit, janë shqiptarë

Hajdaj ka komentuar gjithashtu edhe natyrën e politikës, duke theksuar se ajo mund të jetë njëkohësisht atraktive, por edhe e ashpër.

“Fatkeqësisht, siç e kam thënë edhe më parë, politika është sa atraktive dhe arti i së mundurës, ajo nganjëherë di të jetë edhe mizore”, është shprehur ai.

Në fund të reagimit të tij, Hajdaj ka theksuar se pavarësisht zhvillimeve politike, interesi i Kosovës duhet të mbetet mbi çdo interes tjetër.

“Pa marrë parasysh se çfarë të papriturash mund të na krijojë jeta politike, një gjë mbetet e sigurt: Kosova mbetet mbi të gjithë ne dhe ajo është gjaku dhe sakrifica e shumë dëshmorëve dhe heronjve tanë të rënë për liri, pavarësi dhe demokraci, që nuk i falet askujt”, ka përfunduar ai.