Andi ‘Italiani’ lirohet nga spitali, dërgohet në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz

I dyshuari kryesor për incidentin tragjik që ndodhi para disa javësh në Bon Vivant, Andi Pajaziti, tashmë është dërguar në Burgun e Sigurisë në Dyz, pas një kohe trajtim në Klinikën e Ortopedisë. Ai po dyshohet për vrasjen e Kastriot Ramadanit, me të cilin fillimisht ishin përfshirë në një përleshje fizike, bashkë edhe me të dyshuarit e tjerë, Hisni Gecaj, Gëzim Zakuti dhe i arratisuri, Dukagjin Nikollaj.

Sinjali mëson se të premten Pajaziti është dërguar në burgun ku mbahen personat me rrezikshmëri të lartë, por sipas informacioneve të para pritet që sërish t’i nënshtrohet kontrolleve, pasi gjendja e tij shëndetësore akoma nuk është stabilizuar.

Gjatë kohës sa Pajaziti, i njohur si “Italiani’ po trajtohej në Ortopedi, dyshohet se ka pasur të shtëna në afërsi të klinikës.

Rasti ka ndodhur mbrëmjen e 6 gushtit, kur Policia kishte intervenuar menjëherë në vendin e ngjarjes, por akoma nuk janë zbuluar detajet ndonëse kanë nisur hetimet për zbardhjen e asaj që dyshohej se kishte ndodhur.

Ndryshe, përveç Pajazitit, edhe dy të dyshuarve të tjerë, të përfshirë në këtë rast, Gjykata ua ka caktuar një muaj paraburgim.

Avokati i tij, Fanol Krasniqi ka thënë se Pajaziti ka vepruar në vetëmbrojtje për ta zmbrapsur sulmin, pasi fillimisht ishte sulmuar nga i ndjeri.

“Vepra e kryer pa dëshirën time nuk është vepër e mija, pikërisht kjo thënie ka të bëjë me të mbrojturin tim i cili është gjetur në një situatë vdis ose mbroje veten. Se është gjendur Andi në këtë situatë flet përshkrimi faktik i kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit dhe flasin edhe raportet mjekësore që tani më gjendet në repartin ku është mjekuar. Kualifikimi në këtë fazë ia ka rënduar pozitën të pandehurit mbi bazën se tani më keni një viktimë por ajo viktimë është pa dashjen e tani të pandehurit Andi.

Se sulmi ka ndodhur në vazhdimësi dhe pa ndërprerë nga ana e sulmuesit flet kërkesa për caktimin e paraburgimit. I vetmi veprim i Andit ka qenë që ta zmbraps sulmin i cili ka qenë i vërtetë, i kundërligjshëm në drejtim të tij. Pra Andi me një veprim ka zmbrapsur sulmin dhe është munduar të gjejë rrugën dhe të ikë nga vendi ku ka ndodhur kjo ngjarje tragjike”, ka deklaruar ai.

Lexo edhe:  “Edhe 1 mijë Adem Jasharë po të ishin, Kosova do ishte territor i Serbisë” – gazetari shqiptar skandalizon me deklaratën e fundit

“Ma kanë bërë me gisht…ka qenë humane ndërhyrja ime”/ Çka deklaroi pjesëtari i FSK-së i përfshirë në incidentin tragjik

Ndërsa Gecaj e ka quajtur humane ndërhyrjen e tij në këtë rast, duke deklaruar se qëllimi i vetëm i tij ka qenë që të parandalohej konflikti që kishte nisur mes dy palëve.

Sipas aktvendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të siguruar nga Gazeta Sinjali, thuhet se Gecaj ka thënë se edhe të ndjerin e ka njohur, por edhe Andin, prandaj sipas tij, kur ata e kanë lënë të kuptojë që kanë marrëdhënie të mira, ai s’ka tentuar më t’i ndajë.

Madje, ai ka deklaruar se nuk e ka ditur se personat e përfshirë kanë qenë të armatosur.

“Unë kam qenë në vendin dhe në kohën e gabuar. Unë e kam vërejtur se situata po eskalon dhe kam dashur që të ndërhyjë, që t’i parandaloj, për arsye se ka filluar si rrahje dhe nuk e kam ditur se do të përdoren armët. Unë kam qenë vet, por kur kanë filluar kacafytjet, unë e njoh edhe Andin, por edhe të ndjerin. Kam dashur t’i ndajë. Andi dhe i ndjeri ma kanë bërë me shenjë të gishtit, mos u shqetëso dhe gjithçka është në rregull dhe më kanë lënë me kuptu se kanë raporte të mira. Për mua ka qenë humane ndërhyrja ime pasi qëllimi im ka qenë që të parandalohet konflikti. Thikën e kam mbajtur se është thikë ushtarake që e mbajmë në ushtri.”, ka deklaruar Gecaj.

Çka thuhet në dosjen e Prokurorisë?

Në dosjen e Prokurorisë, që e ka publikuar Sinjali thuhet se i ndjeri Kastriot Ramadani po qëndronte ulur në lokal me Nikollajn dhe një person akoma të paidentifikuar, teksa në ato momente në “Bon Vivant” kishin hyrë Pajaziti dhe Zakuti, ku që nga aty nisi sherri.

Lexo edhe:  Arrestohet një shtetas i Shqipërisë në Gjakovë, u ofroi policëve ryshfet

Sipas prokurorisë, “ekziston dyshimi i bazuar se me datën 4 gusht 2023 rreth orës 23:17, në lokalin “Bon Vivant” në rrugën “Rexhep Luci” në Prishtinë, pas një përleshje fizike në mes të pandehurve Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti në njërën anë me të pandehurit Dukagjin Nikollaj dhe tani i ndjeri Kastriot Ramadani dhe personi i paidentifikuar deri më tani në anën tjetër, me dashje që ta privojnë njëri-tjetrin nga jeta, në atë mënyrë që derisa në lokal ishin të ulur të pandehurit Dukagjin Nikollaj dhe tani i ndjeri Kastriot Ramadani si dhe një person tjetër deri më tani i paidentifikuar në lokalin e lartë cekur kanë ardhur Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti dhe kanë qëndruar në këmbë në afërsi të tavolinës ku ishin ulur të pandehurit Dukagjin Nikollaj i cili gjendet në arrati dhe tani i ndjeri Kastriot Ramadani”.

“Në atë moment me të vërejtur që në lokal kanë hyrë të pandehurit Andi Pajaziti dhe Gëzim Zakuti,, në atë moment i ndjeri Kastriot Ramadani e ka nxjerrë armën e zjarrit nga brezi kurse i pandehuri Dukagjin Nikollaj e ka nxjerrë armën e zjarrit nga një çantë e dorës, ashtu që për një moment fillojnë të përleshen fizikisht fillimisht Andi Pajaziti me të pandehurin Dukagjin Nikollaj, më pas Kastriot Ramadani e godet me një shishe qelqi në kokë disa herë Andi Pajazitin, në atë moment Andi Pajaziti nxjerr armën e zjarrit nga brezi dhe shkrepë në drejtim të Kastriot Ramadanit, kurse i pandehuri Dukagjin shkrep me armë zjarri në drejtim të Andi Pajazitit si dhe i ndjeri Kastriot Ramadani shkrep në drejtim të Andi Pajazitit e me ç’rast kanë rrezikuar edhe jetën e personave tjerë”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Lexo edhe:  E vendosi Flamurin Kombëtar në Bujanoc – Shqipërim Arifi dënohet me 55 mijë dinarë nga Serbia