“Ama gojën ta puthi”, mjeku nga Vushtrria dënohet me 3 vjet burg
Gjykata e Mitrovicës ka dënuar me 3 vjet burg mjekun pediatër nga Vushtrria, i cili akuzohet se ka ngacmuar seksualisht një grua.
Sipas vendimit, i akuzuari N.R, më 12 dhjetor 2010, rreth orës 22:00 duke punuar në Repartin e Pediatrisë e ka prekur me qëllim seksual e me forcë një grua, e cila ka qenë me fëmijën e saj 14 muajsh të shtrirë në një dhomë të repartit.
Sipas Gjykatës, N.R, i ka thënë gruas “ama gojën ta puthi”.
“Është afruar e me forcë ja ka qit dorën e djathtë mbi krahun te qafa e të dëmtuarës e i ka thënë “ama gojën ta puthi” me ç’rast e dëmtuara ka bërtitur dhe e ka shtyrë të pandehurin, ku i pandehuri ka kërkuar nga e dëmtuarës të mos i tregoi askujt por se e dëmtuara e ka thirrur bashkëshortin e saj e i ka treguar ndërsa i njëjti e ka lajmëruar policinë”- thuhet në vendim.
Për këtë vepër penale, të pandehurin N.R. gjykata e ka dënuar me 3 vjet burg, thuhet në vendimin e publikuar më 7 tetor 2022.
“Të pandehurit koha e kaluar në paraburgim nga data 12.12.2010, e deri me datë 31.12.2010, si dhe koha e kaluar në arrest shtëpiak nga data 31.12.2010, e deri me datë 11.02.2011, do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar” – ka njoftuar Gjykata.
Prokurori i shtetit Jovo Radovic në fjalën përfundimtare ka deklaruar se gjatë shqyrtimit gjyqësor në tërësi janë vërtetuar thëniet e aktakuzës se i pandehuri ka kryer veprën penale.
Tutje thuhet se nga deklarata e të dëmtuarës e cila kishte përshkruar në tërësi ngjarjen, ajo edhe pse e kishte pasur fëmijën të sëmurë në një periudhë dimërore dhe vajza e saj kishte nevojë për trajtim mjekësor pas rastit të ndodhur kishte thirrur bashkëshortin e saj dhe ishte larguar nga spitali atë mbrëmje.
Po ashtu, në vendim thuhet se polici hetues M. H. ka deklaruar se në ditën kritike i pandehuri e ka pranuar se e ka kryer veprën penale duke i ngritur duart dhe duke thënë “ Unë jam fajtor bëni çfarë të doni”.
Ndërsa, i pandehuri N. R. në fjalën përfundimtare të cilën e ka dorëzuar me shkrim, ka deklaruar se mjeku nga aspekti etik – medicinal me standardet e komunikimit mjek – pacient duhet të krijojë një klimë të besueshme dhe respektive me pacientin (prindin), ashtu që prindi (nëna) pastaj lirshëm dhe e relaksuar shpjegon për pakënaqësitë, sëmundjen dhe problemet e të sëmurit.
Ai ka shtuar se duke kuptuar gjendjen shpirtërore dhe emocionet e një nëne fshati, një nënë të paemancipuar dhe pasocializuar në ambiente të panjohura (për më tepër ambiente spitali) pas shumë fjalësh inkurajimi, me një prekje të lehtë krahu, ashtu siç prek të vetmen vajzën e tij të shpirtit, ka dëshiruar të ofrojë përkrahjen morale dhe inkurajimin për gjendjen e saj dhe fëmijës të sëmurë, ashtu që ka deklaruar se kjo ka qenë e tëra, asgjë tjetër dhe asgjë më ndryshe.