Albin Kurti “rrezikon burgun”, dënohet për herë të dytë nga gjykata
Kryeministri Albin Kurti është dënuar për herë të dytë me 250 euro gjobë nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pasi që ka refuzuar të jap dëshminë e tij në Prokurorinë Speciale, në lidhje me skandalin e rezervave shtetërore.
Sipas raportimit të Kallxo, kryeministri Kurti është dënuar për herë të dytë.
Pas dështimit të parë për të marrë dëshminë e tij si dëshmitar, Prokuroria Speciale kishte dorëzuar përsëri ftesë për Kurtin e gjykata kishte lëshuar urdhërresë për paraqitje, por Kurti kishte refuzuar. Ai është dënuar përsëri me 250 euro gjobë.
Paparaci ka tentuar të marrë informata nga Gjykata Themelore në Prishtinë, por deri në publikimin e këtij lajmi nuk ka marrë akoma përgjigje.
Gjykata e Prishtinës më 04.03.2025 kishte lëshuar urdhër ndaj Kurtit për t’u paraqitur në Prokurori për të dëshmuar lidhur me rastin e rezervave shtetërore.
Prokurorët specialë e kanë paralajmëruar kryeministrin Kurti se në rast të mosparaqitjes të paarsyeshme, do të detyrohet të paraqitet dhe se në rast të një tjetër refuzimi, mund të dënohet me gjobë ose mund të burgoset.
Në ftesën dërguar Kurtit më 10 dhjetor, Prokuroria Speciale ia bëri me dije dëshmitarit se paraqitja për dëshmi është detyrim ligjor.
Ky detyrim parashihet me nenin 132 të Kodit të Procedurës Penale.
“Në mbështetje të nenit 132 të KPP, mosparaqitja juaj e pararsyeshme, do të jetë shkas që t’ju detyrojmë të paraqiteni dhe mund të dënoheni me gjobë deri 250 (dyqindepesëdhjetë) Euro për çdo mosparaqitje. Nëse ju paraqiteni, por pasi t’u jenë bërë me dije pasojat, refuzoni të dëshmoni pa arsyetim ligjor, mund të dënoheni me gjobë deri në 250 Euro”, thuhet në plotësimin e ftesës dërguar Kurtit.