“Alarm në lagjen ‘Kodrina’ në Prishtinë: Hajnat veprojnë çdo natë, banorët në panik”

Një sinjalizues ka kontaktuar Gazetën Sinjali për të ngritur alarmin mbi një situatë tejet shqetësuese që po ndodh tash e sa kohë në lagjen Kodrina të Prishtinës, konkretisht në fund të Rrugës C.

Sipas tij dhe shumë banorëve të lagjes, hajnat janë bërë pjesë e përditshmërisë, duke hyrë nëpër banesa, vetura e oborre pothuajse çdo natë, ndërsa institucionet e rendit po tregojnë mosinteresim total.

“Para 5 ditësh kanë hyrë në një banesë të një fqiu, para 10 ditësh kanë vjedhur në një veturë tjetër, ndërsa mua personalisht më kanë vjedhur në veturë para pak kohësh. Frika është bërë pjesë e jetës tonë. Gratë dhe fëmijët nuk ndihen të sigurt. Një rast ka ndodhur ku një grua është përballur direkt me hajnat”, tha sinjalizuesi për Sinjalin.

Ai thotë se policia ka ardhur disa herë, por nuk ka marrë asnjë veprim konkret.

“Vijnë, marrin një deklaratë dhe kaq. Nuk merren më me neve më tutje. U kemi ofruar video, foto, dëshmi të shumta – por asnjë reagim real. Nuk marrin shenja të vjedhjeve, as nuk ndjekin hetim”, thotë ai.

“Nuk është normale që një lagje në kryeqytet të lihet në mëshirën e hajdutëve”, shton sinjalizuesi

Lexo edhe:  “Rrëshqiti në tualet”, vdes aksidentalisht vogëlushi kosovar