Aktakuzë ndaj prizrenasit dhe babait të tij që dyshohen për shitblerje të drogës, akuzohen edhe për bixhoz
Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër Bashkim dhe Arman Elezkurtaj, babë e bir, si dhe ndaj T.B., për shkak të dyshimit të bazuar mirë se kanë kryer veprat penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge” dhe “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
Dy të dyshuarit, babë e bir, janë arrestuar në muajin gusht të vitit 2023, pas një aksioni të Antidrogës, që rezultoi edhe me sekuestrimin e një sasie të kokainës.
Sipas aktakuzës, të pandehurit B.E., dhe A.E., nga koha e pa vërtetuar deri më datë 30.08.2023 rreth orës 14:00min, në shtëpinë e tyre në fshatin Zhur dhe në qytetin e Prizrenit, pa autorizim shpërndajnë dhe ofrojnë për shitje substanca apo preparate të cilat janë shpallur me ligj si narkotik dhe atë të llojit “kokaina”, në atë mënyrë që narkotikun e siguruar përmes rrugëve ilegale e mbajnë në shtëpinë e tyre në fshatin Zhur nga ku fillojnë shitjen në sasi të vogla personave të ndryshëm në fshatin Zhur dhe në qytetin e Prizrenit. Gjatë aplikimit të masave të veçanta hetimore më datë 30.08.2023, i pandehuri A.E., derisa ishte duke drejtuar veturën e markës “Fiat Croma” në Prizren, arrestohet dhe nga i njëjti sekuestrohen dy (2) qese najloni të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë prej 2.55 gram, përderisa në të njëjtën kohë gjatë kontrollit në shtëpinë e të pandehurve janë gjetur dhe sekuestruar një peshore digjitale ngjyrë e zezë, dhe 45 (dyzetë e pesë) qese najloni të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë prej 23.04 gram, tri (3) qese najloni të mbushura me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë me peshë prej 52.34 gram dhe një qese najloni në peshë prej 1.76 gram, të cilat substanca narkotike pas ekzaminimit dhe ekspertimit nga Laboratori i Agjencisë Kosovare për Forenzikë, rezultojnë të jenë të llojit kokainë, nga matjet neto me peshë të përgjithshme prej 65.76 gram.
Me këto veprime, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.
Ndërsa, i akuzuari T.B., me dashje i ka ndihmuar dy të akuzuarit e tjerë në kryerjen e veprës penale, duke iu siguruar klientë të ndryshëm për blerje të narkotikut.
Bashkim dhe Arman Elezkurtaj po ashtu akuzohen se në bashkëkryerje se kanë kryer edhe veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”.
“Po ashtu, të pandehurit B.E., dhe A.E., nga koha e pa vërtetuar në vitin 2021 deri më datë 30.08.2023, në vazhdimësi, në fshatin Zhur, Komuna e Prizrenit, në një lokal dhe përmes mjeteve elektronike, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, organizojnë lojëra të fatit siç përcaktohet me ligj, për të cilat nuk është dhënë licenca, në atë mënyrë që të njëjtit në bashkëkryerje, në mënyrë të kundërligjshme dhe të fshehtë përmes telefonave mobil dhe kompjuterit që gjendej në lokalin e lartcekur, instalojnë llogari të ndryshme nga web faqe të ndryshme për lojëra të fatit, nga të cilat web faqe krijojnë llogari për klientë të ndryshëm, më pas në ato llogari u dërgojnë të holla klientëve për të zhvilluar lojëra të fatit dhe më pas këta të fundit paguajnë të hollat kesh për të pandehurit.” – përfundon njoftimi.
Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të akuzuarit të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.