Akt heroik: Shpëtohet nëna e dy binjakëve vetëm 7 javësh

Në orën 01:10 të mëngjesit të 21 marsit, heshtja e natës u ça nga një thirrje për ndihmë. Një grua e re, nënë e dy binjakëve vetëm 7 javësh, kishte rënë pa ndjenja. Zemra e saj nuk rrihte më. Trupi i saj ishte i ftohtë dhe i pajetë. Ndërsa dy foshnja të porsalindura prisnin mëngjesin, pa e ditur se po atë natë, jeta e tyre mund të ndryshonte përgjithmonë.

Në krye të misionit shpëtues: Doktoresha Anita Kasumi, infermieret Artiola Toplica dhe Rineta Berbatovci, dhe shoferi Samir Qerimi.
Ata panë atë që të tjerët do ta quanin fundin: një trup i shtrirë, i ftohur, pa shenja jete. Por për ta, nuk ishte fundi – ishte fillimi i luftës.

Pacientja ishte në asistoli – zemra ndalur. Filloi menjëherë reanimimi, administrimi i adrenalinës, përdorimi i maskës së oksigjenit. Kur ritmi i zemrës u kthye për një çast e pastaj iku sërish, ata nuk u tërhoqën. E vendosën defibrilatorin dhe vazhduan. Reanimim, defibrilim, adrenalinë, frymë pas fryme – një cikël i pandalshëm i vendosmërisë.
Dhe jeta… u kthye. Zemra filloi të rrahë sërish. Fryma u kthye.

Ajo nënë – e cila vetëm pak minuta më parë dukej se kishte shkuar përgjithmonë – nisi të zgjohej.

Pacientja dërgohet në QKUK, ku pas gjithë ekzaminimeve, trajtimit profesional dhe kujdesit intensiv, vetëm një ditë më pas ajo zgjohet, flet, reagon, ushqehet – e mbi të gjitha, jeton!

Ky ekip nuk shpëtuan vetëm një grua atë natë. Ata shpëtuan një nënë. Ata ruajtën një familje të re nga një dhimbje që nuk do të shërohej kurrë. Ata ruajtën dy zemra të vogla që të mos mbeteshin pa atë që u dha jetën.

Kjo nuk është thjesht punë.
Ky është heroizëm.
Kjo është madhështi njerëzore.

Lexo edhe:  Pas sherrit të fëmijëve, rrahën mes vete prindërit në Prishtinë

Faleminderit që ekzistoni. Faleminderit që nuk dorëzoheni.
Faleminderit që jeni aty kur çdo sekondë ka peshën e një jete.

©️Arlind Imeri, gazetar