Aksioni “Vardar” zbulon grupin që falsifikonte para për në Kosovë dhe shtetet e tjera

Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka dhënë detaje në lidhje me aksionin “Vardar”, ku 10 persona u arrestuan nën dyshimin për falsifikim dhe vënien në qarkullim të parave të falsifikuara.

Sipas MPB-së në Maqedoninë e Veriut, aksioni ka filluar pas formimit të një grupi të organizuar kriminal që përfshinte shtetas maqedonas dhe serbë, i cili prodhonte para të falsifikuara në një banesë në Shkup duke përdorur makineri speciale dhe pllaka të gdhendura që imitonin elementet e sigurisë të parave.

Grupi e lëshonte këtë monedhë të falsifikuar në qarkullim në Maqedoninë e Veriut dhe Serbi, dhe pjesa më e madhe e saj përfundonte në shtete të tjera, si Austria, Gjermania, Rumania, Sllovenia, Kroacia dhe Kosova.

Sipas Prokurorisë, ky aksion është vazhdimësi e operacionit të gushtit të vitit të kaluar, kur autoritetet në Shkup, në koordinim me Prokurorinë Speciale të Kosovës dhe me mbështetjen e Eurojust-it dhe EUROPOL-it, sekuestruan pajisje për falsifikim të monedhave euro, të gatshme dhe gjysmë të gatshme, kallëpe dhe materiale të tjera për prodhim.

Në atë operacion, një zyrtar policor nga Maqedonia e Veriut u arrestua në Kosovë, nën dyshimin se kishte prodhuar rreth dy milionë monedha false prej dy eurosh.

Ai ishte pjesë e departamentit për luftën kundër krimeve të rënda dhe krimit të organizuar në Policinë maqedonase.

Lexo edhe:  Theret 7 herë më thikë i riu në Istog