Aksioni te familja Gërbeshi në Vushtrri, edhe një i arrestuar për “ndihmë në detyrim”

Edhe një person është arrestuar në vazhdim të aksionit në Vushtrri në familjen Gërbeshi.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka njoftuar se  Rr.M., është arrestuar sot, pasi i njëjti dyshohet që në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Ndihmë në detyrim”, duke ndihmuar personat e arrestuar dy ditë më parë në operacionin në Vushtrri, në kryerjen e veprës penale.

I njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë.

“Prokuroria Themelore në Mitrovicë njofton opinionin publik se është arrestuar një person me iniciale Rr.M., pasi i njëjti dyshohet që në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Ndihmë në detyrim”, duke ndihmuar personat e arrestuar dy ditë më parë në operacionin në Vushtrri, në kryerjen e veprës penale.

I njëjti me vendim të prokurorit gjendet në mbajtje për 48 orë. Brenda afatit të paraparë ligjor Prokuroria Themelore në Mitrovicë do të paraqes pranë gjykatës kompetente kërkesë për masën e sigurisë për të pandehurin”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

Kujtojmë se katër persona të tjerë janë arrestuar në këtë rast, më 21 shtator, në një operacion të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, në koordinim me Drejtorinë për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda, me ç`rast janë kontrolluar lokacione në fshatin Ropicë të Vushtrrisë dhe në qytetin e Vushtrrisë.

Prokuroria ka njoftuar se gjatë operacionit, të dyshuarve u janë gjetur dhe sekuestruar dy armë të shkurta, 352 copë fishekë të kalibrave të ndryshëm, dy karikatorë, dy palë dylbi, shtatë telefona celularë, një shkop druri, një palë dorëza, një thikë, dokumente të ndryshme, një pasaportë, një patentë shofer, një USB, një llap-top, një palë patika dhe një çelës motori.

Lexo edhe:  Mungesë e rrymes për sot